Qeveria (në nevojë për pará) shtrëngon rripat e biznesit

Postuar në 17 Nëntor, 2012 13:34

Këto ditë, gjithë bizneseve të vogla të Tiranës, u ka shkuar (dhe po u shkon) një shkresë nga Drejtoria Rajonale Tatimore, Tiranë, ku në bazë të ligjit u kërkohet të paraqesin brenda 15 ditëve nga marrja dijeni, një kopje të aktit të kontratës së qerasë (ose të pronësisë), shoqëruar kjo me pagesën e 10 për qindshit të tatimit mbi të.

Në pamje të parë nuk ka asgjë të keqe, biles mund të thuhet se është shumë pozitive që organet tatimore po vihen në punë për të vjelur të ardhurat që i takojnë nga qeratë e objekteve. Ka subjekte që janë të ndërgjegjshme dhe i paguajnë rregullisht detyrimet për të qenë korrekt me shtetin; ka të tjera që s’i paguajnë se u dhimbsen lekët që nxjerrin nga xhepi në këto kohë të rënies së fuqisë blerëse; ka të tjerë që s’e dinë fare që ekziston një detyrim i tillë ndaj shtetit.

Ajo që të bën përshtypje në këtë rast është se është hera e parë që kontrata e qerasë dhe pagesa po u kërkohet nominalisht, me shkresë zyrtare, çdo biznesi. Shpesh herë është operuar në formë tjetër, kur grupe kontrolli e evidentonin në terren situatën, duke bërë sondazhe të herë pas hershme nëse subjektet kanë kontratë qeraje dhe a e kanë paguar tatimin.

Fakti që kësaj here kërkesa po u shkon çdo biznesi në adresën ku ushtron aktivitetin, duke mos “harruar” të evidentojnë penalitetin që e pret nëse nuk paraqitet dokumentacioni i kërkuar, tregon se arka e shtetit është “ku thërret qameti” dhe situata ka shkuar aty ku “s’mban më ujë pilafi”. Pra, të mbledhim lekë ku e si të mundemi, qoftë edhe duke nxjerrë “dhjamë nga pleshti”. Jo se vlera që parashikohet të arkëtohet është e vogël, por kur qeveria i ka pas xhepat plot, nuk e ka pas vënë shumë “ujin në zjarr”, për këto “vogëlsirat” e biznesit të vogël...

 

Altin Ketro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.