Qëndrimi i Delegacionit të BE për miratimin e ligjit për KLSH-në: Lehtëson rrugën për mbështetjen e buxhetit

Delegacioni i BE në Tiranë ka përshëndetur miratimin e ligjit për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Në qëndrimin e tij Delegacioni thekson se miratimi i këtij ligji krijon lehtësim të rrugës për mbështetjen e buxhetit. “Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Tiranë përshëndet vendimin e djeshëm të Parlamentit shqiptar mbi Ligjin për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Delegacioni i BE-së e përgëzon Parlamentin shqiptar për vendimin e djeshëm për miratimin e Ligjit mbi Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ai është jo vetëm një hap i madh përpara lidhur me përpjekjet e Shqipërisë për reformuar auditin e jashtëm të fondeve publike, por gjithashtu i lehtëson rrugën Programit të BE-së për Mbështetjen e Buxhetit për Menaxhimin e Financave Publike. Ministria e Financave e Shqipërisë ka hartuar një Strategji për Menaxhimin e Financave Publike (MFP), që – pasi të miratohet para fundit të vitit – do të shërbejë si bazë për Programin e BE-së për Mbështetjen e Buxhetit. Një nga kushtet kyçe për dhënien e fondeve të BE-së ishte që Shqipëria të miratonte një ligj të rishikuar mbi Kontrollin e Lartë të Shtetit në përputhje me standardet ndërkombëtare për institucionet e larta të auditit. Ky kusht u plotësua me vendimin e djeshëm të Parlamentit”- thuhet në qëndrimin e delegacionit të BE.
L.V
Add new comment