Qëndrime të ndryshme nga dy qeveritë. Cana sqaron ngjarjen dhe vlerëson qëndrimin e lojtarëve serbë. Duka: "Nuk mund të vazhdonim në ato kushte"

Përfaqësuesja shqiptare e futbollit është pritur në Rinas nga zv.kryeministri Niko Peleshi dhe ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Lindita Nikolla. Bashkë me trajnerin De Biasi, kreun e FSHF-së, Armand Duka dhe kapitenin Lorik Cana, ata kanë dhënë një konferencë për shtyp. Duhet nënvizuar fakti se qeveria shqiptare i ka përcjellë mirënjohje përfaqësueses shqiptare. “Shprehim mirënjohjen për krenarinë që i ka dhënë shqiptarëve për dominimin në fushë dhe për mesazhet e të gjitha vlerave të futbollit”, tha Peleshi. De Biasi e ka cilësuar si një përvojë traumatike, kurse Lorik Cana ka folur disi më gjatë dhe ka sqaruar dinamikën e ngjarjes. Cana ka nënvizuar se edhe futbollistët serbë kanë qenë të trishtuar për ngjarjen, madje të vetëdijshëm për situatën e ekipit shqiptar. Për të, vendimi i UEFA- duhet të marrë në konsideratë atë çfarë u përcoll me pamje filmike, ndonëse siç shtoi ai, "ne si vend i vogël jemi penalizuar shpesh". Kapiteni i kombëtares ka apeluar për përmirësim të marrëdhënieve mes të dyja vendeve, “pasi jemi dhe do të mbetemi fqinj”. Armand Duka ka theksuar sërish pamundësinë e vijimit të ndeshjes. “Jemi të lodhur dhe të emocionuar. Nuk ka fituar loja e futbollit. Ne respektuam të gjitha rregullat që kërkon loja, ne shkuam të përfaqësojmë kombin. Ata e rrënuan dhe e dëmtuan shumë lojën e tyre në Beograd. Më vjen keq që nuk arritëm të bëjmë lojën 90 minuta. Besoni ka qenë e pamundur të zhvillohej loja në ato kushte” tha ai. Këto janë deklaratat e para të asaj që ka nisur të jetë një betejë propagandistike. Kështu gazeta serbe “Blic” citonte ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç, të jetë shprehur se ky “ishte një provokim politik”. “Shpresoj që BE-ja dhe Uefa të reagojnë. Sikur diçka e tillë të ishte bërë nga serbët në Tiranë apo në Prishtinë, tani do ta kishim çështjen në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë ai. Më tej akoma, “Tanjug” ka vënë në dukje një status të ministrit të Jashtëm suedez, Carl Bildt, në “Twitter”, që shkruan: “Provokim i papërgjegjshëm në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Shpresoj që dy kryeministrat të kuptojnë nevojën për të ecur përpara në lidhjet dypalëshe”. Nëse mund të perceptohet klima që po ndërton media serbe, pa lënë mënjanë faktin se flamuri ishte provokues, duket se synon të shmangë edhe njëherë vizitën e kryeministrit shqiptar në Beograd. Por kjo do të duket në deklaratën zyrtare të qeverisë serbe, e cila me qëndrimin e qeverisë shqiptare, me siguri do të reagojë.
s.z
Comments
Lerini mirenjohjet por
<p>Lerini mirenjohjet por dokumentoni gjithcka dhe punesoni nje zyre avokatie nderkombetarisht te suksesshme dhe hidhni ne gjyq shtetin serb dhe UEFA-n per dhunen qe mund tu kishte kushtuar jeten djemeve tane.</p>
Add new comment