Pylli i Krujës jepet për gurore. Berisha, zinxhir zullumesh në ikje

Kur merr një vendim të diskutueshëm, bëhesh objekt debatesh e kritikash. Duket se kryeministri në ikje e ka zgjidhur këtë ngërç, pasi seriali i vendimeve skandaloze nuk ka të sosur. Keshtu, “Shekulli” raporton se Berisha i ka bërë dhuratë një pyll në Krujë kompanisë Shpresa-Al, kliente e kontabilistes Shpresa Breçani, e afërme e familjes Berisha. Kësaj kompanie i janë dhënë 19 hektarë nga pylli i Krujës për ta shfrytëzuar si gurore. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave në datën 31 korrik të këtij viti, me firmën e kryeministri në detyrë Sali Berisha dhe ka numrin 654. Kompania që ka fituar të drejtën për të shfrytëzuar këtë sipërfaqe është e regjistruar në QKR dhe për pronar Lush Osmanin. Vendburimi i “Picragës”, që i korespondon sipërfaqes së dhënë kompanisë do të hiqet nga fondi pyjor dhe Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave kjo sipërfaqe do të regjistrohet në kadastrën minerare, në administrim të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pronësi publike. Ndërsa zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pasi të përcaktohen në terren dhe në hartë kufijtë e rinj të fondit pyjor kombëtar, që rezultojnë nga heqja e sipërfaqeve të këtyre ngastrave, sipas pikës 1 të këtij vendimi, bën çregjistrimin e saj nga kategoria “Tokë e zënë, pyll, djerr” dhe e regjistron në kategorinë “Tokë e zënë, objekt shfrytëzimi me karrierë të gurit gëlqeror”.
a.k
Add new comment