Pse Tahiri, Gjiknuri, Cani dhe Bushati nuk dorëzojnë mandatin e deputetit? “Panorama” shkruan se shkak janë negociatat që po zhvillohen me 3 kandidate femra

Postuar në 27 Prill, 2014 04:01

Nisma e Kryeministrit Rama që ministrat të mos mbajnë mandatin e deputetit nuk ka shkuar ende deri në fund.  Katër ministra nga më të rëndësishmit e kabinetit qeveritar, Saimir Tahiri, Shkëlqim Cani, Damian Gjiknuri dhe Ditmir Bushati, ende nuk e kanë dorëzuar mandatin e tyre të deputetit, edhe pse kolegët e tyre e dorëzuan brenda një jave, në mesin e muajit dhjetor. Në media nuk kanë munguar arsyetimet dhe argumentimet e ndryshme rreth shkakut se pse 4 ministrat nuk kanë hequr dorë ende nga mandati i deputetit.

Ndryshe nga mediat e tjera ku aludohej se vonesa vjen për shkak “pasigurisë” që prodhojnë për karriget ministrore sektorët që 4 ministrat mbulojnë, gazeta “Panorama” jep sot një variant tjetër.  “Vonesat nuk kanë të bëjnë me aktivitetin e ngjeshur parlamentar, siç është dhe komisioni hetimor për emërimet dhe largimet nga puna në Policinë e Shtetit, por me presionin që po u bëhet kandidatëve në pritje të mandatit që të mos e pranojnë atë. Në këtë mënyrë ai u kalon kandidatëve të tjerë në listë” shkruhet në artikullin e “Panorama” me autor Aristir Lumezi. Në artikull evidentohet se po zhvillohen negociata me tre femra, kandidate në listat e PS-së në qershor të 2013, me qëllim që pas refuzimit të tyre, në Parlament të shkojnë tre kandidatë meshkuj.   

Në qarkun e Tiranës mandatin e deputetit do ta lenë ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, respektivisht i dyti dhe i katërti në listë. Njëri nga mandatet e ministrave do t’i kalojë një femre për shkak se PS në listën e Tiranës nuk ka respektuar kuotën gjinore të 30 % të grave dhe për këtë shkelje është gjobitur. KQZ do t’i japë mandatin kandidates femër të radhës, pavarësisht se në çfarë pozicioni të listës ajo ndodhet. “Erjeta Allhysa është e 27-ta e listës dhe e vetmja kandidate femër e mbetur në listën e Tiranës. Vetëm nëse ajo do ta refuzojë mandatin, atëhere ai do t’i kalojë kandidatit mashkull të listës që është i 18-ti, Ervin Bushati. E më pas, lista do të vazhdojë me të 19-in, që është Bledar Doracaj, pas dorëzimit të mandatit nga ministri i radhës. Allhysës i është kërkuar nga drejtues të PS-së në Tiranë që të refuzojë mandatin por ajo këmbëngul që të bëhet deputete. E kontaktuar në telefon, kryetarja e PS-së Ndroq nuk donte të komentonte asnjë zhvillim por tha se ajo do ta marrë mandatin e deputetit që i takon. Kjo negociatë e gjatë ka shtyrë pa kufi dorëzimin e mandateve të ministrave në këtë qark” shkruhet në artikull.

Në qarkun e Elbasanit është e njëjta situatë si në Tiranë. Ministri i Energjetikës dhe Industrisë Damian Gjiknuri është i dyti i listës dhe për shkak të gjobës që PS ka marrë nga KQZ në Elbasan, për mosrespektim të kuotës gjinore, mandati i Gjiknurit i shkon kandidates femër që ndodhet në listë. “Luljeta Arapi është e nënta e listës së kandidatëve dhe ajo e merr këtë mandat. Por mësohet se vetë kreu i PS-së, Rama po këmbëngul që në parlament të shkojë Arben Kamami dhe jo Arapi. Ajo është kryetarja e PS-së së qytetit Elbasan, ndërsa është e papunë, në pritje të mandatit të deputetit. Por edhe nëse Arapi do të refuzojë mandatin që do t’i japë KQZ, mandati i deputetit duhet të refuzohet edhe nga kandidatja tjetër femër e këtij qarku, Rovena Beqiraj, e 15-ta në listë. Vetëm pas këtyre refuzimeve mandati i shkon kandidatit mashkull që vjen pas fituesit të fundit të listës në zgjedhjet e qershorit 2013. Ai është Arben Kamami, i 7-i i listës, aktualisht prefekt i qarkut Elbasan” vijon artikulli.

Sipas gazetës, edhe në qarkun Dibër, situata është e njëjtë me Tiranën dhe Elbasanin.  “Mandatin e deputetit të ministrit të Financave Shkëlqim Cani në Qarkun e Dibrës e merr kandidatja Ezmerina Hoxha, e gjashta në listë. Ky qark nxorri dy fitues, Canin dhe Ulsi Manjën, të dytin e listës. Por në këtë qark, kuota e përfaqësimit të grave nuk është respektuar. Në rast zëvëndësimi të deputetit, kjo shkelje duhet rregulluar me një kandidate femër. Ezmerina Hoxha është e fundit e listës dhe gjithë kandidatët e tjerë janë meshkuj. Por Hoxhës i është kërkuar të refuzojë mandatin, me qëllim që ai t’i kalojë mjekut Hasan Ceni, i treti i listës, menjëherë pas 2 fituesve” vijon artikulli, ku theksohet se “pa u zgjidhur këto kontradikta dhe pa rënë dakord palët, katër ministra të rëndësishëm të qeverisë do të vijojnë të mbajnë mandatet e tyre”.

k.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.