Pse “Austrian Lotteries” u rendit e para në garën për Lotarinë Shqiptare?

Postuar në 25 Korrik, 2012 06:20

Ministria e Financave zyrtarizoi dje vendimin për të shpallur fitues kompaninë austriake për menaxhimin e licencës së lotarisë kombëtare, me afat 10 vjet. Ministria nuk shpërndau njoftim për mediat, por preferoi publikimin e renditjes së fituesit në faqen e internetit, duke mos dhënë shpjegime pse zgjodhi austriakët të ishin të parët, me të cilët tashmë nis negociata për lidhjen e kontratës.

Ministria e Financave njoftoi dje se më datë 23 korrik 2012, ka mbyllur fazën e dytë për vlerësimin e aplikimeve të paraqitura nga kompanitë pjesëmarrëse në garën e dhënies së licencës për Lotarinë Kombëtare. “Pas procesit të vlerësimit, Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve (KVA), bazuar në ligjin për ‘Lojërat e fatit’, aktet dhe dokumentacionet nënligjore, ka njoftuar aplikuesit për renditjen”, deklaroi ministria. Kështu e para është renditur “Austrian Lotteries”, kurse në vend të dytë u rendit “LTO Consortium”, bashkim kompanish, i përbërë nga tri shoqëri, lotaria italiane “Lottomatica”, qipriotja “GTech” dhe çekja “Synot”.

Por, mesa duket, qeveria vijon ende “lojën” me Lotarinë Kombëtare. Kur tashmë dihet qartësisht se fituesit janë austriakët, ministria i jep kompanisë e renditur e dyta disa ditë afat për t’u ankimuar. “Sipas procedurës ligjore, aplikuesit kanë të drejtën e ankimit për këtë vendim, brenda 30 ditëve nga data e shpalljes, te Titullari i Autoritetit, i cili merr vendim brenda 30 ditëve nga paraqitja e kësaj ankese”, ishte sqarimi i ministrisë lidhur me gjoja respektimin e ligjit. Mbi këtë afat, gjasat janë që kontrata me austriakët të lidhet në muajin shtator, pasi ministria dhe kompania të kenë rënë dakord me termat e referencës dhe disa çështje teknike.

Tashmë, çdo veprim varet në dorë të ministrit, që sipas Financave, pas mbylljes së fazës së ankimimit, bën shpalljen e fituesit si dhe fton kompaninë austriake të plotësojë kushtet e parashikuara nga legjislacioni për marrjen e licencës.

Tashmë, licenca e së vetmes lotari kombëtare për 10 vjet do të menaxhohet nga kompania austriake, e blerë për 3 milionë euro, kur konkurrentët ishin të gatshëm të ofronin 10-fish më shumë. Licenca do të gjenerojë miliarda lekë të ardhura për shoqërinë nga biletat e shitura për të marrë pjesë në lojë, kurse shteti nuk përfiton më shumë se 10 për qind të xhiros, në një kohë në vende të ndryshme, merr të paktën 80 për qind. Më herët austriakët ishin shprehur optimistë për fitimin e licencës, pasi sipas tyre, oferta e paraqitur në tender ishte më e drejta.

Edi Rama: Të ardhurat e lotarisë do t’ia kthejmë shtetit

“Në 7 vjet këta që sot keqqeverisin Shqipërinë kanë vjedhur, sa nuk është vjedhur nga gjithë qeveritë e Shqipërisë në 100 vjet shtet shqiptar. Fushat e naftës fatmirësisht aty janë, minierat aty janë, pronat e ushtrisë aty janë, pronat publike dhe private në bregdet aty janë, aty janë edhe tërë asetet e tjera të pasurisë publike që kanë shkuar për koncesione apo për transaksione. Aty do të jetë edhe Lotaria Kombëtare, nëse do të guxojnë ta privatizojnë me termat që kanë shpallur dhe ne do të bëjmë transparencë të plotë që arkës së shtetit t’i kthehen paratë e munguara nga gjithë këto grabitje barbare”, u shpreh dje kreu i opozitës në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së.

Marrë nga Shqip

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.