PS-LSI, plasaritja e parë në publik

Postuar në 03 Tetor, 2014 05:40

Jo çdo gjë po shkon vaj në kampin e majtë. Pavarësisht përpjekjeve për të shmangur çdolloj përplasjeje në publik, dy forcat e mëdha politike të shumicës qeverisëse, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë jo pak dallime për çështje të ndryshme. Një e tillë është shënuar edhe në javën që po lëmë pas dhe që ka të bëjë me emërimin e avokatit Arjan Salati si anëtar i bordit drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. I ardhur si një kandidaturë që ka lidhje të forta në radhët e socialistëve, për shkak edhe të profesionit të tij si avokat në disa çështje ku palë ka qenë Partia Socialiste, Salati nuk ka qenë një kandidaturë e pëlqyeshme për LSI-në. Ndaj kundërshtimi i LSI-së duket se ka detyruar dje socialistët që ta heqin nga rendi i ditës të seancës pikën që parashikonte votimin e Salatit në pozicionin e anëtarit të bordit të AMF-së (Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare). Dy ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë publikoi në faqen e tij në internet rendin e ditës të seancës së djeshme, ku votimi i Salatit ishte parashikuar si pika e tretë nga fundi. Ndërkohë që dje në rendin e ditës të shpërndarë në fillim të seancës kjo pikë ishte hequr. Përfaqësues socialistë të pyetur lidhur me këtë ndryshim rendi nuk kishin një shpjegim të saktë, ndërsa u shprehën se ky votim ishte lënë për më vonë, ndoshta kur të miratohej edhe emri i drejtorit ekzekutiv të AMF-së. Por burime të tjera nga mazhoranca kanë bërë të ditur se shkak për këtë ndryshim të rendit të ditës ishte pikërisht kundërshtimi që LSI kishte për një kandidaturë të tillë. Sipas këtyre burimeve, një kandidaturë që në opinionin publik njihet si avokat i PS-së, nuk duket e përshtatshme për pozicionin e punës ku dhe kërkohet të zgjidhet. Në fakt, heqja nga rendi i ditës së seancës së djeshme ishte paralajmëruar gjatë votimit të Salatit në komisionin e Ligjeve, ku deputeti i LSI-së, Spartak Braho votoi kundër, ndërsa deputeti tjetër i kësaj force, Petrit Vasili nuk votoi fare. E gjendur përballë një refuzimi të tillë duket se PS nuk ka dashur që në këtë moment të acarojë publikisht  marrëdhëniet me aleaten e saj, ndaj ka pranuar që kjo kandidaturë të mos hidhej në votim. Megjithëse një votim i tillë kërkon një shumicë të thjeshtë votash, socialistët duket se nuk kanë dashur që t’i hyjnë një “lufte nervash” me aleatët e LSI-së, aq më shumë për një çështje të dorës së dytë, siç është zgjedhja e një anëtari të bordit të AMF-së. Por tashmë PS dhe PD, ose duhet të gjejnë mirëkuptimin për ta kaluar këtë kandidaturë, ose duhet ta rrëzojnë atë. Një zgjidhje tjetër mund të ishte dhe tërheqja e vetë kandidatit nga ky konkurrim. Vlen të theksohet se Salati është bërë i njohur për opinionin publik si avokat i Partisë Socialiste në disa çështje të nxehta zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjin Zgjedhor. Gjithashtu ai ka mbrojtur edhe një çështje, ku e ëma e kryeministrit Edi Rama kishte me ish-kryeministrin Sali Berisha për shpifje.

Fejzi Braushi, Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.