PS i dorëzon një letër Nishanit për mandatin e Ina Ramës dhe merr si shembull krahasues Kosovën

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka paraqitur në takimin e tij me presidentin Bujar Nishani një letër lidhur me mandatin e Ina Ramës. Në letër thuhet se thuhet se ligji e Kushtetuta hyjnë në fuqi në momentin e miratimit dhe nuk kanë fuqi prapavepruese vetëm në rastet kur parashikohet me ligj.
Pjesë nga letra:
“Prokurori i Përgjithshëm është emëruar në kohën kur Kushtetuta nuk parashikonte një mandat të kufizuar. Pra, rregullimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm ka qenë i pakufizuar në momentin e emërimit, por i kufizuar në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese. Ligji dhe për më tepër Kushtetuta, efektet e tyre i fillojnë nga momenti i miratimit. Është një parim i njohur dhe i gjithëpranuar i së drejtës, sipas të cilit norma juridike nuk disponon për fakte dhe rrethana që kanë ndodhur në të shkuarën përveç rasteve kur vetë norma shprehet për këtë gjë. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në rastin e propozimit për ndryshimin kushtetues për ndërprerjen para afatit të mandatit të Presidentes së Republikës, përmes një veprimi retroaktiv të amendamentit kushtetues të propozuar me paketën e re kushtetuese. Jemi të mendimit se çdo veprim i kryer në kundërshtim me këto standarde kushtetuese dhe që do të materializohej në zëvendësimin antikushtetues të Prokurorit të Përgjithshëm, me synim zgjidhjen e problemeve politike afatshkurtra, jo vetëm që do të ishte një akt ndaj institucioneve të Republikës dhe me pasoja të rënda, por gjithashtu do të kthehej në një precedent negativ për kufizimin në të ardhmen të çdo organi tjetër kushtetues”. A.N.
Add new comment