PS dhe LSI: Komision Hetimor për përfshirjen e FA në trafikun e drogës

Komision Hetimor për përfshirjen e strukturave të Forcave të Armatosura dhe Ushtrisë në trafikun e drogës. Kjo ka qënë kërkesa e depozituar nga grupi parlamentar i PS dhe LSI në Kuvend. Taulant Balla ka konfirmuar këtë lajm. “Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe Grupi Parlamentar i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim kanë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për zbardhjen e plotë të motiveve dhe arsyeve, verifikimin e plotë të fakteve dhe të provave që provojnë ose përgënjeshtrojnë akuzat e artikuluara publikisht nga përfaqësues të lartë politikë kundrejt Forcave të Armatosura për vënien në dispozicion të infrastrukturës së Ushtrisë për veprimtari kriminale: “transport i lëndëve narkotike.”, ka thënë Balla. Gjithashtu ai ka shtuar se zbardhja e plotë të motiveve dhe arsyeve, si dhe tregimin e fakteve dhe provave, mbi të cilat janë mbështetur këto akuza, kanë një rëndësi të veçantë për imazhin e Forcave të Armatosura të një vendi anëtar të NATO-s. Objekti i punës së këtij Komisioni Hetimor është verifikimi i akuzave të artikuluara publikisht na përfaqësues të lartë politikë ndaj Forcave të Armatosura për përfshirjen e këtyre të fundit dhe infrastrukturës që ky institucion ka në veprimtari kriminale si ai i transportit të lëndëve narkotike. Akuzat për këtë përfshirje janë bërë nga opozita dhe sipas përfaqësuesve të grupit parlamentar të PS dhe LSI akuza të tilla duhet të mbështeten në prova dhe fakte, në të kundërt ato dëmtojnë rëndë imazhin e FA jo vetëm brenda vendit, por edhe imazhin tek ndërkombëtarët. S.S
Add new comment