Propozimet e PD për reformën territoriale tashmë në duart e Metës dhe Ramës

Postuar në 04 Korrik, 2014 06:05

Shoqata  e  Bashkive,  Shoqata  e  Këshillave  të  Qarqeve   dhe  Shoqata  e  Komunave  zyrtarisht  kanë dërguar pranë kryetarit  të  Kuvendit,  Ilir  Meta  dhe  kryeministrit  Edi  Rama,  rezolutën  për reformën decentralizuese, administrative dhe territoriale. Kjo rezolutë është miratuar më 2 korrik 2014, në konferencën “Zgjerimi i autonomisë vendore, reformë e qëndrueshme territoriale”.

Në diskutimet e kësaj konference ishin të pranishëm përfaqësues  të  komuniteteve  vendore  dhe  qytetarëve  shqiptarë;  kryetarë  të  bashkive  dhe  komunave;   anëtarë  të  këshillave  bashkiakë,  komunalë  e  të  qarqeve  të  Shqipërisë;  nëpunës  civilë dhe  punonjës  të  administratës  vendore  dhe  njësive  të  ndryshme  që  kryejnë  shërbimet vendore, etj..

Dokumenti i cili ndodhet në institucionet e sipërpërmendura përbëhet nga këto parime:

1. Decentralizimi dhe zgjerimi e konsolidimi i autonomisë vendore duhet të jetë drejtimi themelor dhe udhëheqës i reformës.

2. Reforma duhet të bazohet dhe udhëhiqet nga parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, të shërbimit sa më pranë qytetarit, të partneritetit dhe bashkëpunimit, të shpërndarjes së drejtë të burimeve dhe mbështetjes së njësive vendore me mundësi më të pakta, të transparencës dhe llogaridhënies sa më pranë qytetarëve dhe komunitetit.

3. Riorganizimi territorial i njësive të qeverisjes vendore në çdo nivel duhet të pasqyrojë identitetin e komunitetit të banorëve të krijuar përgjatë historisë dhe ta harmonizojë atë me funksionalitetin e njësive të reja qeverisëse. Procesi i hartimit të reformës decentralizuese, administrative e territoriale dhe miratimi i saj të kryhet vetëm përmes konsensusit të plotë politik në Kuvendin e Shqipërisë.

4. Çdo komunitet vendor të ketë mundësinë të shprehë qëndrimin pro apo kundër ndryshimit të kufijve vendorë, siç sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së  Shqipërisë. S.S

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.