Propozime të reja në ligjin për KLD-në, asnjë ngritje në detyrë gjatë mandatit, ndryshon rregulli për emërimet

Postuar në 04 Korrik, 2014 07:42

Një grup deputetësh të mazhorancës propozojnë disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”. Kjo ka ardhur si pasojë e  problemeve që ka pasur Këshilli i Lartë i Drejtësisë vitet e fundit. Projektligji, i përmbledhur në nëntë nene dhe i depozituar së fundi në parlament, ndër të tjera përcakton se “anëtarët e KLD-së, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare nuk mund të transferohen apo të ngrihen në detyrë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre.

Në rast se anëtari KLD-së, i zgjedhur nga KGJK-ja jep dorëheqjen përpara mbarimit të afatit 5 vjeçar, ai nuk mund të transferohet apo të ngrihet në detyrë deri në përfundim të periudhës së përcaktuar në pikën 1, të këtij neni”. Një shtesë në ligj është ajo për nenin 7, i cili parashikon që anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit.

Ndryshim pëson dhe neni 10 i ligjit aktual që flet për vlerësimin profesional. “Për Kryeinspektorin dhe inspektorët, çdo 2 vjet, kryhet vlerësimi profesional dhe etik, sipas kritereve e procedurave të përcaktuara nga KLD. Brenda tremujorit të parë të çdo viti, Inspektorati, nëpërmjet Kryeinspektorit, i paraqet Këshillit të Lartë të Drejtësisë një raport mbi veprimtarinë e tij në vitin paraardhës, në të cilin duhet të gjejnë pasqyrim problematikat e trajtuara dhe rezultatet e punës. Raporti i përgatitur nga Inspektorati paraqitet nga Zëvendëskryetari për diskutim në mbledhjen më të afërt të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, citohet drafti i ri për KLD-në. Neni 21 i ligjit për KLD-në, riformulohet si më poshtë. “Në rastet e arrestit, heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, ushtrimit të kontrollit personal ose të banesës, së gjyqtarit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mblidhet brenda 24 orëve dhe vendos për kërkesën e paraqitur nga prokurori”.

 Ligji organik për KLD-në ndryshon dhe në kushtet dhe rregullat e përgjithshme për emërimin e kryetarëve të gjykatave. Propozimi i shtimit të një neni, që trajton këtë situatë, lidhet pikërisht me faktin e plotësimit të vakumit ligjor, si edhe të problematikave të evidentuara deri tani në këtë drejtim. S.S

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.