Prokuroria mbyll hetimin: Olldashi shkeli rregullat e qarkullimit. Ishte aksident

“Vdekja e Olldashi, aksident. Shkeli rregullat e qarkullimit”. Në këtë mënyrë Prokuroria i ka dhënë fund hetimit për vdekjen e deputetit demokrat Sokol Olldashi, i cili humbi jetën 10 muaj me parë në një aksident automobilistik, në rrugën Tiranë-Elbasan. "Duke analizuar provat e administruara në këtë material kallzues rezulton se ngjarja ku ka mbetur i vdekur shtetasi Sokol Olldashi ka ndodhur si rezultat i aksidentit automobilistik. Nga provat e marra provohet se shtetasi Sokol Olldashi duke drejtuar automjetin e tij tip benz me targë AA 003 HN, në vendin e quajtur fshati Mushqeta, ka dalë nga rruga duke u përmbysur, dhe për pasojë ka humbur jetën vetë drejtuesi i mjetit, shtetasi Sokol Olldashi", citon raporti i Prokurorisë. 10 muaj pas ngjarjes së rëndë e cila ndodhi më 20 nëntor 2013, në rrugën dytësore Tiranë – Elbasan, në Fshatin Krrabë, pranë Lapidarit, prokuroria u ka dhënë fund veprimeve të saj hetimore. Për dhjetë muaj me radhë, organi i akuzës ka kryer të gjitha ekspertizat dhe ekzaminimet shkencore të nevojshme dhe ka marrë në pyetje më tepër se 45 persona në cilësinë e dëshmitarëve. Hetimi mësohet se është mbajtur kaq gjatë pasi prokuroria ka pritur kryerjen e të gjitha verifikimeve të nevojshme për të pasur një konkluzion shkencor mbi aksidentin e rëndë. Deputeti Sokol Olldashi humbi jetën pasi makina e tij tip “Mercedes-Benz”, me targë AA 003 NH, doli nga rruga në një kthesë të fortë në dishezë dhe u rrokullis disa metra. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, në trupin e deputetit Sokol Olldashi është konstatuar traumë e rëndë kafkotrunore, karakterizuar nga thyerje të shumta të kockave të kokës e shoqëruar me mungesë të indit kockor, konfuzion (shembje) e rëndë e trurit e shoqëruar me mungesë të indit trunor. Sipas ekspertizës këto dëmtime janë shkaktuar me mjete të forta mprehëse, karakteristikë edhe për traumat automobilistike.
L.V
Add new comment