Projektligj i ri për sektorin minerar: Tani afatin e lejeve minerare e zgjat ministri. Me ligjin ekzistues, ai vetëm negocionte dhe miratimin e bënte Kuvendi

Qeveria propozon sot në mbledhjen e saj një projektligj që përmban ndryshime dhe shtesa në “Ligjin nr.10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Ndryshimet dhe shtesat kanë karakter teknik dhe ato materializohen si 28 nene të reja mbi ligjin ekzistues. Nga pikat më të rëndësishme është ndërhyja që bëhet për të drejtat e zotëruesit të lejes minerare mbi pasuritë e paluajtshmëe, detyrimet e tij etj.. Lidhur me transaprencën e procesit që do të rregullojë ky ligj, tërheq vëmendjen neni 7 i ligjit të ri, që është ndryshim i nenit 16 të ligjit ekzistues. Kështu në ligjin e ri parashikohet që “në marrëveshjet koncesionare, miratimi i zgjatjes së afatit të lejes minerare bëhet nga ministri, për aq sa zgjatja e këtij afati nuk bie në kundërshtim me ligjin për koncesionet dhe afatet kohore të marrëveshjes koncesionare, të miratuar me legjislacionin e posaçëm. Në çdo rast, leja minerare nuk mund të jetë me afat kohor më të gjatë se afati kohor i marrëveshjes koncesionare”(http://kryeministria.al/al/newsroom/projekt-ligj/projektligje-te-miratua...). Neni ekzistues e parashikon këtë gjë në këtë formë: “3. Me kërkesë të subjektit kërkues apo të zotëruesit të lejes së shfrytëzimit, për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet, dhe nëse paraqitet një plan investimesh, zbatimi i të cilit vlerësohet në interesin ekonomik apo shoqëror për komunitetin e zonës përkatëse, leja mund të jepet apo, përkatësisht, të zgjatet për një periudhë vlefshmërie deri në 99 vjet. 4. Në rastet e parashikuara në pikën 3 të këtij neni, ministri mund të negociojë një kontratë me kushte lehtësuese me kërkuesin apo zotëruesin e lejes minerare. 5. Në rastet e parashikuara në pikat 3 dhe 4 të këtij neni, kontrata dhe shtyrja e afatit paraqiten për miratim në Kuvend“. E thënë thjesht, nëse leximi kuptimor nuk na ngatërron, miratimi kësaj radhe bëhet nga ministri, që dikur vetëm negocionte dhe më pas ishte Kuvendi ai që miratonte.
s.z
Add new comment