Projektbuxheti 2013, në shkelje të ligjit dhe jo më i madhi në historinë e shtetit shqiptar

Postuar në 19 Nëntor, 2012 06:57

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Berisha ka deklaruar se projektbuxheti i shtetit për vitin 2013 parashikon në total 409 miliardë lekë shpenzime, duke e bërë, sipas tij, projektbuxhetin më të madh në historinë e shteti shqiptar.

Së pari, aprovimi i projekt-buxhetit sot, në 19 nëntor, përbën një shkelje të ligjit Nr.9936, datë 26.6.2008 (PËR MENAXHIMIN E SISTEMIT BUXHETOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË), sepse sipas nenit 29, pika ë, te tij, brenda datës 25 tetor, Këshilli i Ministrave duhet te miratoje, me vendim, projektbuxhetin vjetor dhe programin buxhetor afatmesëm, të rishikuar. Pra, kemi një vonesë prej 25 ditësh të kufirit ligjor për aprovimin e projektbuxhetit nga qeveria.

Së dyti, projektbuxheti i 2013-ës nuk është më i madhi në historinë e shteti shqiptar, jo vetëm në vlerë reale, por as në vlerë nominale. Kështu, në ligjin Nr.10 190, datë 26.11.2009, shkruhet se shpenzimet e buxhetit për vitin 2010 kanë qenë parashikuar në nivelin 410,7 miliardë lekë. Ndërsa në ligjin Nr.10 355, datë 2.12.2010, shkruhet se shpenzimet e buxhetit për vitin 2011 kanë qenë parashikuar në nivelin 409 miliardë lekë. Pra, edhe në vlerë nominale, parashikimi për 2013-ën nuk ka qenë më i madh se i 2010-ës apo 2011-ës. Ndërsa në vlerë reale, nuk bëhet fjalë për rekord historik, sepse 409 miliardët e 2013-ës duhet të skontohen me koeficientin e inflacionit, për t’u krahasuar me 2010-ën dhe 2011-ën.

E.Zaloshnja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.