Presidentja Atifete Jahjaga i kërkon Armenisë të njohë Kosovën

Postuar në 24 Shtator, 2014 02:53

107 shtete e njohin Kosovën, por presidentja Jahjaga po kërkon që numri të rritet edhe më. Sipas një njoftimi nga Presidenca e Kosovës, Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga takoi ministrin e jashtëm të Armenisë, Eduard Nalbandyan. Ata diskutuan për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës dhe proceset e tjera nëpër të cilat po kalon vendi, në përpjekje për të forcuar subjektivitetin shtetëror. Jahjaga e njoftoi ministrin Nalbandyan me përparimin që e ka shënuar Republika e Kosovës në procesin e njohjes së pavarësisë së saj, duke e sjellur në 107 numrin e përgjithshëm të njohjeve nga shtete të ndryshme të botës. “Presidentja Jahjaga theksoi se njohja e shtetësisë së Kosovës është edhe njohje e vizionit të qytetarëve të saj për të ndërtuar një shtet faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë, duke e inkurajuar Armeninë që të ndërmarrë një hap të tillë”, thuhet në njoftim. Më tej shtohet se presidentja Jahjaga nënvizoi synimin e Republikës së Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. “Ministri Nalbandyan vlerësoi të arriturat e Kosovës, në veçanti në procesin e dialogut ndërshtetëror për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë armene për të punuar me institucionet e Republikës së Kosovës për të avancuar proceset e saj integruese”, përfundon njoftimi i Presidencës.

 

L.V

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.