Presidenti: shqiptarët nuk janë nacionalistë, por... atdhedashës?

Postuar në 20 Janar, 2013 15:31

Presidenti Bujar Nishani ka publikuar një artikull te Panorama.al, të titulluar “Atdhedashuri, asgjë tjetër”. Artikulli, që merr zanafillë nga kremtimet e 100 vjetorit të Pavarësisë, pasi bën një fluturim të përciptë mbi disa teori mbi nacionalizmin, del në konkluzionin se shqiptarët nuk janë nacionalistë.

 “Veç në një gjë bashkohen të gjitha; që për t’i zbatuar llojet dhe nënllojet e pafundme të nacionalizmit, si atë të vjetrin, të riun, të mirin, të keqin, ndërtuesin, shkatërruesin etj., etj., duhet të jenë përgatitur paraprakisht studime frymëzuese të hollësishme, hulumtime të thella akademike, duhet të jenë bërë plane dhe të jenë ndërtuar strategji të vënies në zbatim të secilit nacionalizëm nga studiues, akademikë, politikanë, përfaqësues të lartë të religjionit, filozofë, dijetarë nga të gjitha fushat e dijes.” shkruan z. Nishani.
Pra, mungesa e strategjive akademike (besoj se nënteksti referues është për serbët) apo e religjionit (referencë për nacionalizmin fetar grek, supozoj)  ndër shqiptarë, automatikisht nuk i bënka ata nacionalistë. Qëllimi i Presidentit është i lavdërueshëm. Ai do t’i thotë botës që ne nuk jemi nacionalistë e nuk ka pse trembet.

Problemi është tek e vërteta. A jemi vërtet, jo-nacionalistë? Dhe jo thjesht deklaratat e K/ministrit që na kanë vënë tashmë një damkë ndërkombëtare, pa nevojë.

Mjafton të hapësh blogjet e rrjetet sociale për të kuptuar se nacionalizmi, ekziston mes pasionesh shumë të forta, dhe se pavarësisht mungesës së strategjive nacionalistike eksplicite në fushën e letrave tona, lëvizja nacionaliste e Kreshnik Spahiut arrin gjithmonë të thithë përkrahës.

Por, dhe sikur të mos jemi nacionalistë, çfarë jemi? Shkruan Z. Nishani: “I ashtuquajturi “nacionalizëm shqiptar” është një keqkuptim, një moskuptim, një moskonsiderim i fateve historike të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dukuria apo dukuritë për të cilat flitet se na paraqesin të tillë, nuk janë nacionalizëm, janë shfrime zemrash, shpërthime shpirtrash. (...)Pra, nuk ishte nacionalizëm. Ishte atdhedashuri, asgjë tjetër."

A thua vërtet mungesa e nacionalizmit u përktheka fiks në atdhedashuri? Nëse shqiptarët vlonkan nga atdhedashuria, pse shesin Shën Naumin, vinë në pushtet me pushkët e sërbit, thyejnë embargon duke furnizuar Serbinë me naftë, shesin detin, ndërrojnë emrat dhe u shtojnë një “–s”, shkatërrojnë vendin, vrasin 4 bashkatdhetarë me duar në xhepa në bulevard, dhunojnë natyrën, etj., etj.?

Pavarësisht dëshirës së mirë për të mos qenë “të këqinjtë” në sytë e botës, nganjëherë problemet duhen parë më thellë. Sikurse, nacionalizmi, s’ka pse të jetë turp nëse  shndërrohet në një forcë pozitive zhvillimi, ashtu edhe “atdhedashuria” mund të kthehet në një fasadë të shëmtuar të atdhe-shkatërrimit.

K. Cukali

I plotë: http://www.panorama.com.al/2013/01/20/atdhedashuri-asgje-tjeter/

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.