Presidenti: “SHISH, punë të shkëlqyer. Mu kërkua largimi i Neritan Cekës. BKH, prokurori paralele. Deri më sot, 31 kanadidatë për Guvernator”

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka qenë i ftuar mbrëmë në emisionin “Fakt” të gazetarit Çim Peka, përëballë një paneli gazetarësh me të cilët ka shkëmbyer mendimet dhe ka diskutuar, kryesisht për çështjen e reformës në drejtësi dhe për atë që po ndodh në KLD, për disa ligje të miratuara së fundmi, apo edhe për çështjen e Bankës së Shqiëprisë. Nishani ka sqaruar pozicionin e tij në lidhje me KLD-në, duke konsideruar ndër të tjera se “me ndryshimin e ligjit jo vetëm janë hequr disa kompetenca të cilat kanë të bëjnë me pjesën formale të verifikimit të mandateve të anëtarëve të rinj që vijnë në KLD, por ajo që është më problematikja ka të bëjë me një angazhim politik të shumicës parlamentare për të ndryshuar emrat e anëtarëve të KLD-së”. Jo i parëndësishëm është pohimi i Presidentit edhe për ligjin “Për Policinë e Shtetit”, sidomos për krjimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. “Me këtë ligj po krijohet një prokurori paralele brenda policisë. Po krijohet një institucion i Prokurorisë brenda Policisë së Shtetit në një kohë që Kushtetuta përcakton që i vetmi institucion i cili kryen hetimin është Prokuroria e Republikës”, tha Nishani. Ai ka vlerësuar rotacionin si një moment që sjell dinamikë të re në jetën e vendit, por nuk ka munguar me rezervat ndaj qeverisë. Nishani ka hedhur poshtë spekullimet e bëra në adresë të Shërbimit Informativ Shtetëror, duke lënë të kuptohet kështu se Visho Ajazi ka mbrojtjen e tij. “Shërbimi ka bërë një punë të lavdërueshme veçanërisht në dy drejtime: Së pari në goditjen e të ashtuquajturit ‘luftëtar i huaj’– të atyre që shkojnë për të luftuar jashtë vendit. Dhe së dyti në çështjet e trafikut të drogës. Që ka një presion mbi SHISH-in, kjo është evidente dhe është e vazhdueshme, për fat të keq. Ju garantoj që në të gjithë dijeninë time si President i Republikës, nuk ka pasur të konstatuar deri në këto momente, asnjë akt që është të jetë kryer në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me objektin e punës dhe në kundërshtim me të gjitha procedurat që i ngarkohen Shërbimit Informativ për të përmbushur detyrën e tij”, tha Nishani. Për sa in përket diplomacisë presidenti ka nënvizuar se për kandidaturat për ambasador është mirë të ketë një konsultim. Në këtë pikë ai ka bërë një kritikë për mbylljen e ambasadës sonë në Portugali, që është një vend anëtar i NATO-s. Po kështu ai ka zbardhur faktin se “ Ka një propozim për largimin e Ambasadorit që kemi në Itali pa argument”, pra për largimin nga detyra të Neritan Cekës, por që sipas tij “duhet të plotësojë kohën që parashikon ligji”. Për çështjen e Guvernatoirt të Bankës presidenti ka tërhequr vëmendjen se çështja devijoi duke u ndalur te fajësia ose jo e Fullanit, që e zgjidh hetimi, nga zbardhja e skenës së krimit dhe përgjegjësive për të. Nishani ka bërë të ditur se deri më tani kanë aplikuar 31 persona për kandidaturën e Guvernatorit, mes të cilëve siç u shpreh ai “mesa kam parë të paktën deri dje, ka absolutisht njerëz me background shumë të lakmueshëm…”. Në finale Nishani ka shprehur kundërshtinë edhe për ndryshimin e kompetencave të tij si komandant i Forcave të Armatosura, duke shtuar se këto ndryshime nuk janë konsultuar me partnerët.
s.z
Add new comment