Preç Zogaj mendon që PS duhet ta rishikojë ndërvartësinë e tre ligjeve nga zgjidhja e ngërçit të Fierit

Preç Zogaj në një editorial në të përditshmen Shqiptarja.Com analizon sulmet e Berishës ndaj opozitës për tre ligjet e pavotuara të paketës së statusit. Shkruan Zogaj: "Natyrisht, ka patur e ka gjithnjë plot kundërthënie në retorikën europianiste te kryeministrit. Fjala vjen, nëse ka siguri dhe bindje se marrja e statusit varet nga votimi i tre ligjeve, pse nuk lëshon qeveria në Fier, aq me tepër kur dihet se zgjedhjet në atë qark i ka fituar opozita? Si mund të sakrifikohet një gjë aq e madhe si statusi për ambiciet e vogla të disa militantëve vendorë, që kanë bërë allishverishe me votat e zgjedhësve?"
Por Zogaj hedh më pas idenë që opozita duhet ta rishikojë ndërvartësinë e tre ligjeve nga zgjidhja e ngërçit të Fierit:
"Aktualisht, ndërsa jemi para faktit të kryer se statusi na është refuzuar... dhe Brukseli ka qenë në përgjithësi evaziv në lidhje me arsyet e plota të refuzimit, argumentet e opozitës për këtë çeshtje po e humbin forcën që kishin. Qeveria ka parë këtu një koridor sulmi. Është ironike dhe e trishtueshme padyshim të shohësh të akuzohet si shkaktare e bllokimit të statusit një opozitë që ka qenë protagoniste e procesit të integrimit, sidomos nga vjeshta e vitit 2011 deri në vjeshtën e vitit 2012. Kjo opozitë ka ecur me parimin se për integrimin duhet të sillemi si qeveri dhe kjo është një qasje e drejtë në të gjitha pikpamjet. Por gjithë ky investim rrezikon të hajë goditje ngjitëse nëse nënvleresohet politika agresive e krerëve të shumicës për ta bërë opozitën kokë turku për dështimin e statusit. Peticioni i punojësve buxhetorë, si formë e vjetër e stilit enverist, është në thelb pjesë e kësaj politike. A mos mendon kush se me këtë peticion shumica kërkon t’i mbushë mendjen Ramës të votojë ligjet? Po të ishte kështu, do të kishin gjetur një formë tjetër dhe do të kishin shkruar me një gjuhë tjetër. Qëllimi i ideatorëve dhe realizuesve të peticionit është parasëgjithash të nervozojnë dhe neverisin opozitën. Jo thjesht për këtë shkak, por parasëgjithash në emër të vizionit europianist, opozita, tani që u pa se kushti taktik nuk fuksionoi dhe as Fieri nuk po zgjidhet dhe as statusi nuk po merret, duhet ta rishikojë ndërvartësinë e tre ligjeve nga zgjidhja e ngërçit të Fierit…" A.N.
Add new comment