Poroshenko firmos marrëveshjen e asocimit me BE, këshilltari i Putin: Ai është nazist

Ukraina ka firmosur sot Marrëveshjen e Asocimit me Bashkimin Evropian. ”Kjo është një ditë historike për vendin tim, dita më ë rëndësishme që nga pavarësia e Ukrainës. Ky akt është demonstrimi më i mirë sesi gjërat mund të ndryshojnë rrënjësisht, brenda një kohe të shkurtër, nëse për këtë gjë ekziston vullneti i duhur dhe nëse njerëzit e kërkojnë më dëshirë këtë”, deklaroi presidenti ukrainas, Petro Poroshenko pas mbërritjes në takimin e BE-së për të firmosur pjesën e dytë dhe të fundit të Marrëveshjes së Asocimit me unionin.
Më pas, ai tregoi penën me të cilën do të nënshkruante dhe shtoi se: "Nuk ndodhi në Vilnius nëntorin e kaluar, por kjo është e njëjta penë, një demonstrim sesi ngjarjet historike janë të paevitueshme.".
Ndërsa një këshilltar i Presidentit rus, Vladimir Putin është shprehur me akuza ndaj Kievit dhe Poroshenkos pikërisht në këtë ditë të nënshkrimit të marrëveshjes. Sergei Glazyev tha se Poroshenko është një “nazist” dhe se kjo marrëveshje që ai do të nënshkruajë më BE-në, është ilegjitime. Glazyev tha se është Evropa ajo që po e detyron Ukrainën të firmosë këtë pakt. “Evropa organizoi një kryengritje ushtarake në Ukrainë, ajo vendosi të vërë në krye të shtetit një nazist. Kjo qeveri naziste po bombardon lindjen, rajonin më të madh të vendit”. S.S
Add new comment