Po të ishte e mundur, që për dy ditë të zgjidhet problemi disa shekujsh serbo-shqiptar...

Postuar në 21 Shkurt, 2013 15:32

"Po të ishte e mundur, që për dy ditë të zgjidhet problemi disa shekujsh në marrëdhëniet ndërmjet popullit serb dhe shqiptar, besoj se do ta kishte bërë dikush tjetër para meje”, thotë kryeministri serb pas dy ditë bisedimesh në Bruksel.

Këto dy ditë bisedimesh të kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel u zhvilluan vetëm për një temë të vetme, por të madhe dhe të vështirë: temën e institucioneve paralele. Edhe Beogradi, edhe Prishtina, edhe Brukseli thonë se janë të kënaqur ”me përparimin domethënës”, por zgjidhja përfundimtare ende pritet. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se zgjidhjen e kërkon në kuadrin e kushtetutës së Kosovës, ndërsa kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, thotë se askush nuk tregon më moskuptim për idenë e bashkësisë së komunave serbe. “Nëse arrijmë marrëveshje në këtë çështje, nëse me të vërtetë ngrihet bashkësia e komunave serbe, aty ku serbët përbëjnë shumicën në Kosovë, pra jo vetëm në veri, dhe nëse kjo bashkësi ka për të patur pjesë të rëndësishme në jetën politike të Kosovës, përgjegjësi të rëndësishme dhe do të mundësojë krijimin e vetëqeverisjes serbe në Kosovë dhe Metohi, atëherë me këtë do të zgjidheshin edhe probleme të tjera praktike, që janë tema e këtyre bisedimeve. Në bazë të kësaj marrëveshjeje të plotë politike do të arrihen zgjidhjet e të gjitha çështjeve të tjera”, thotë Daçiq.

Si do të jetë bashkësia e komunave serbe në Kosovë? Ajo që pritet, është përkufizimi se çfarë nënkupton në të vërtetë një bashkësi e tillë. Grupet e ekspertëve në javët e ardhshme duhet të përpilojnë konceptin, se si duhet të jetë bashkësia e komunave serbe në Kosovë, çfarë organesh dhe çfarë juridiksioni do të ketë, si do të zgjidhen delegatët, çfarë marrëdhënie do të ketë me Beogradin dhe Prishtinën. Këto detaje do të duhet të jenë gati për më pak se dy javë, me 4 mars, kur është planifikuar raundi ri, i gjashtë, i dialogut në Bruksel. Re.Pu.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.