Po rastisi që të kenë edhe humor...

Postuar në 07 Gusht, 2012 15:25

Romët përplasin edhe njëherë Avokatin e Popullit me zyrtarët e lartë shtetërorë, por kësaj here, Totozani me sa duket ka zgjedhur ironinë. I pyetur nga gazetarët sot pasdite lidhur me deklaratat e Nëndrejtorit të Shërbimit Social Shtetëror, Leonard Strazimiri, Avokati i Popullit, Igli Totozani tha se “i vlerësoj shumë funksionarët, po rastisi që të kenë edhe humor aq më mirë akoma”.
Nëndrejtori i Shërbimit Social Strazimiri reagoi në shtypin e sotëm pas deklaratës që Avokati i Popullit bëri dy ditë më parë me anëtarë të komunitetit rom. Totozani u shpreh se romët janë jashtë sistemit dhe nuk përfitojnë, as nga të mirat sado modeste të sistemit social.
Strazimiri reagoi duke “i bërë apel Totozanit të hapë sytë, sepse romët trajtohen me asistencë” – shkruan GSH e djeshme. “Avokati i Popullit të lexojë ligjin për ndihmën ekonomike, të qartësohet dhe pastaj të prononcohet”, thotë Strazimiri, sipas të cilit ky komunitet është i përfshirë në sistem dhe përfiton prej tij. “Nëse plotësojnë kriteret e nevojshme, ata sigurisht përfitojnë shumën e caktuar”, shprehet zyrtari.
Totozani është pyetur sot pasdite nga gazetarët lidhur me këtë deklaratë dhe është përgjigjur. “Më besoni, unë i vlerësoj shumë funksionarët shtetërorë për punën e tyre të palodhur në ndihmë të qytetarit, për ndershmërinë dhe dinjitetin profesional që i karakterizon, për preokupimin që kanë për grupet në nevojë, sidomos për romët, për të folurin drejt dhe shkoqur dhe për cilësi të tjera që i shfaqin përditë. Po rastisi që të kenë edhe humor, aq më mirë akoma...”

Në foto: Fëmijë romë në periferi të Tiranës, pjesëtarë të familjeve të dëbuara nga Stacioni i Trenit në Tiranë

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.