Po nëse gara Romney-Obama përfundon barazim?

Teorikisht ka ekzistuar gjithnjë mundësia që pas votimit për presidentin e SHBA-së, të dalë një kolegj zgjedhor me numër të barabartë delegatësh për secilin nga dy kandidatët kryesorë. Këtë vit, sipas gazetës Washington Post, kjo mundësi teorike ka edhe gjasa praktike. Bazuar në sondazhet me të fundit në shtetet ku gara është e fortë, gazeta parashikon disa kombinime rezultatesh për shtete të ndryshme që do ta bënin të mundshme që, pas 6 nëntorit, Obama të rezultojë me 269 delegatë në Kolegjin Zgjedhor dhe me po aq të rezultojë edhe Romney. (Kandidati që del i pari në një shtet të caktuar fiton të drejtën t’i përzgjedhë vetë të gjithë delegatët e atij shteti – p.sh. Florida ka 29 delegatë dhe fituesi në Florida i përzgjedh vetë të 29 delegatët e saj për në Kolegjin Zgjedhor).
Dhe si mund të zgjidhet ky ngërç?
Së pari, një nga delegatët e përzgjedhur nga njëri prej kandidatëve mund të ndryshojë mendjen deri në dhjetor, kur mblidhet Kolegji Zgjedhor. Por kjo është një mundësi fare e vogël, kur dihet se kandidatët i përzgjedhin vetë delegatët e tyre. (Vetëm dy herë ka ndodhur një gjë e tillë, por pa pasojë për garën presidenciale dhe kjo në fillim të viteve ‘1800)
Përndryshe, Amendamenti i 12-të i Kushtetutës së SHBA-së parashikon që në rast se Kolegjit Zgjedhor nuk arrin të zgjedhë njërin nga kandidatët, Dhoma e Përfaqsuesve në Kongres është ajo që përcakton përfundimisht se cili do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë. Aktualisht, në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit, shumica e delegacioneve përfaqsuese të shteteve dominohen nga republikanët, por votimi i 6 nëntorit mund ta përmbysë këtë situatë.
E.Zaloshnja
Add new comment