A po krijohet distancë mes Nishanit dhe Berishës?

Postuar në 09 Tetor, 2014 06:12

Pati mbështetjen personale të ish-kryeministrit Berisha kur u zgjodh si kandidaturë për president i Republikës dhe më pas në votimin në parlament, kur ish-lideri i demokratëve gjeti dakordësinë me LSI-në të miratonte zgjedhjen e tij në krye të shtetit.

Gjatë mandatit të tij si president i Republikës, Bujar Nishani jo pak herë është akuzuar nga mazhoranca si “ushtar” i Berishës dhe një president që nuk  e ka shkëputur varësinë nga ish-forca e tij politike. Këtë bindje e ka përforcuar edhe më shumë kthimi mbrasht prej tij i disa ligjeve të kundërshtuara fort nga opozita, si në rastin e paketës për drejtësinë, ku përfshihej ligji për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, apo dhe nisma të tjera ligjore të një rëndësie politike dhe parimore për mazhorancën, si ligji për statusin e nëpunësit civil apo reforma territoriale.

Refuzimi i dekretimit te ketyre nismave nga Nishani mund të shihet si një provë jo e vogël besnikerie ndaj forcës që i dha kredencialet për të qenë President i Republikës, pas një karriere që nisi nga strukturat organizative të Partisë Demokratike e që u konkretizua me disa funksione politike në qeveritë e ish-kryeministrit Berisha.

Për këto qëndrime mazhoranca nuk e ka fshehur pakënaqësinë ndaj kreut të shtetit. Në krye të vitit të parë të qeverisjes në korrik të këtij viti, teksa prezantoi bilancin e 300 ditëve të qeverisjes Rama deklaroi se nuk ishte i lumtur me presidentin e Republikës, ndërsa deputetët socialistë gjatë kësaj kohe nuk kanë nguruar ta etiketojnë atë si noter të Partisë Demokratike.

Por pas dimrit që karakterizoi marrëdhënien 1-vjeçare të qeverisë së re me presidentin, mes tyre duket se po vjen një stinë më e paqtë. Presidenti është tashmë në pozitat e negociatorit për dy çështje shumë të rëndësishme, guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe reformën në sistemin e drejtësisë.

Nishani ka mbajtur një qëndrim të qartë për çështjen e pasuesit të Fullanit,  duke lënë të nënkuptohet se asnjë emër nuk do të kalojë pa marrë pëlqimin dhe firmën e tij, ndërsa për reformën në drejtësi u bë iniciator i thirrjes së një tryeze, të cilës iu bashkua edhe kryeministri Rama. Në këtë fazë të diskutimit dhe  para nevojës për të çuar përpara interesat e mazhorancës kryeministri ka lënë të nënkuptohet se të dyja palët kanë ulur shpatat dhe po kalojnë një periudhë afrimi mes tyre. Në një intervistë të para pak ditësh dhënë për emisionin “5 pyetje nga Babaramo”  kryeministri foli për një marrëdhënie të re me presidentin Nishani. “Nuk ka asgjë totale mes nesh dhe as ngërç. Jemi në një marrëdhënie të hapur, në një marrëdhënie komunikimi të rregullt. Kemi pasur edhe kundërshti që janë shprehur të hapura, edhe me votë, apo presidenti me deklarata. Dialogu që kemi hapur për të ardhmen e Bankës së Shqipërisë është mjaft mbresëlënës”

Pyetja është nëse afrimi i palëve po i shërben një marrëveshje që do të ekuilibrojë intersat si  të kreut të shtetit ashtu edhe të mazhorancës në pushtet. Presidentit i duhet te kujdeset për të ardhmen e tij politike, kur kanë kanë mbetur afërisht 2 vjet nga fundi i mandatit të tij të parë, ndërsa kryeministri është i interesuar të vërë në zbatim ambicjet e qeverisë së tij.

Për të gjetur konsensusin si presidenti ashtu edhe kryeministri duhet të lëshojnë në qëndrimet e tyre, çka duket se lë jashtë negociatave ish-kryeministrin Berisha. Ky i fundit vazhdon të akuzojë kryeministrin se po tenton të kapë sistemin e drejtësisë edhe pse Rama ka pranuar të bashkëpunojë me presidentin për këtë reformë tejet delikate.

 I pyetur gjatë një bashkëbisedimi për gazëtarët lidhur me reformën në drejtësi Berisha tha se opozita duhet të mbështesë propoizimet e Komisionit të Venecias që sugjerojnë se presidenti nuk duhet të jetë më kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. A është kjo një shenjë se Presidenti Nishani nuk është më nën sqetullën e ish-kryeministri Berisha?  E sigurtë është se afrimi me kryeministrin Rama vetëm sa rrit distancën e kreut të shtetit me ish-shefin e tij.

l.mitro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.