Pjesëmarrësit në darkën gala të Liri Berishës - sipas Panoramës

Postuar në 21 Tetor, 2012 04:06

Disa ditë më parë pati një përplasje mes opozitës dhe fondacionit të drejtuar nga bashkëshortja e kryeministrit Berisha, Liri Berisha, ku u fol për një ankand pikturash në të cilin u dhanë për fondacionin në fjalë, rreth gjysëm milion euro brenda pak orësh. Opozita kërkoi të publikoheshin emrat e blerësve, fondacioni publikoi vetëm emrat e autorëve të pikturave dhe çmimet e shitjes së tyre, që varionin nga 10 në 100 mijë euro. E përditshmja "Panorama" ka botuar diçka lidhur me emrat në faqet e saj të fundjavës. Pavarësisht se nuk është listë e plotë, hedh një ide me foto dhe emra mbi pjesëmarrësit në të tilla mbrëmje.

Shkruan Panorama nën titullin "Ja VIP-at pjesëmarrës në darkën gala të Liri Berishës" shoqëruar me një foto të yjeve të mbrëmjes, çifti Berisha:

"Pak ditë më parë, në ambientet e Sheraton, bashkëshortja e Kryeministrit Berisha, Liri Berisha, organizoi mbrëmjen gala për të mbledhur fonde në ndihmë të fëmijëve autikë. Kjo darkë tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme, ku figurat publike, kryesisht biznesmenë, blejnë pikturat në ankand dhe paratë e mbledhura shkojnë në fondacionin e krijuar nga zonja Berisha. Është folur shumë gjatë javës për paratë e mbledhura të cilat kapin shifrën e mbi 500 mijë eurove. Ndërkohë që nuk dihet ende se kush i ka bërë blerjet e kripura. Por ajo që ne mund t’ju sjellim, janë disa nga pjesëmarrësit në këtë festë. Duke filluar me Presidentin e vendit Nishani dhe familjen e tij, kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli, e cila shoqërohej nga e bija, të gjithë ministrat e kabinetit Berisha, gazetarë si Blendi Fevziu, Aleksandër Frangaj, Arjan Çani etj. Merrte pjesë gjithashtu ambasadori Arvizu, Volfarth, Sekui dhe natyrisht Kryeministri Berisha, i cili në këtë natë speciale nuk ngurroi që t’i jepte të shoqes një puthje pasionante. Por edhe familjarët e tyre, pra djali Shkëlzeni dhe vajza Argita me bashkëshortët e tyre, nuk munguan në festë. Ajo që bie në sy, është luksi me të cilin ata paraqiten në veshje, ku gratë kanë preferuar fustane të gjata dhe burrat kostume të zeza". (A.N.)

 

Kujtesë: http://www.respublica.al/artikuj/2012/10/16/fondacioni-i-znjberisha-shet...

Comments

Submitted by METE (not verified) on

<p>Puthje vampiresh</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.