Pirro Lutaj: “M. Mbrojtjes nën drejtimin e Imamit, periudha më e errët...” dhe tregon se çfarë niveli kanë FA tona krahasuar me ushtritë e tjera të NATO-s

Pirro Lutaj, deputet i PS-së, por edhe ndjekës i afërt i çështjeve të ushtrisë, ka folur për Revistën Klan se çfarë ka ndodhur me ushtrinë shqiptare nën drejtimin e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, të cilin e akuzon për një sërë shkeljesh ligjore.
Lutaj i thotë gazetarit Renato Kalemi se periudha e drejtimit nga Arben Imami “është periudha më e errët e funksionimit të FA-së (Forcave të Armatosura)... Kjo ka të bëjë me denigrimin e kuadrove; siç e shikoni, gjeneralët shtohen dhe hiqen në kundërshtim me ligjin.” Madje, Lutaj flet dhe për “disa gjeneralë të bërë me urgjencë, për arsye sepse praktika e gradimit të gjeneralëve është bërë jashtë periudhës kushtetuese e ligjore”
Shkeljet sipas Lutajt vazhdojnë si “një fenomen i dukshëm në FA ka qenë sjellja brutale dhe aspak profesionale e drejtuesve të ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm me pronat e ushtrisë, duke filluar me mjetet e saj dhe pronat. Çdo pronë të FA-së Ministria e Mbrojtjes e shiti për skrap. Gjithashtu, në ministrinë e Mbrojtjes janë vënë re shkelje të rënda të ligjit dhe Kushtetutës. Rasti më flagrant ka qenë shkelja e Kushtetutës dhe marrja e kompetencave të Presidentit të Republikës për emërimin e Komandantit të Flotës Detare, etj...”
Për Lutajn “duke përjashtuar segmente të vogla të FA-së, si misionet tona jashtë vendit, të cilat janë për t’u lavdëruar, forcat e tjera të armatosura lënë shumë për të dëshiruar. Ato nuk janë aspak në nivele të barabarta me homologet e tyre si anëtare të NATO-s.”
Lutaj flet dhe për akuzat e Presidentit që akuzon për shantazh e terror ndaj tij prej maxhorancës së re duke thënë se “Ne nuk i përkasim një force politike që akuzon Presidentin e Republikës. Bujar Nishani vjen nga një parti, kryetari dhe Kryeministri i së cilës e ka quajtur Presidentin “horr bulevardi”, ndërsa kryeprokuroren “lavire bulevardi”. Ne kemi kërkuar që Presidenti të bëjë transparent dekretin e tij dhe të argumentojë pse e ka nxjerrë nga plani i shpërndarjes një institucion ligjor dhe kushtetues, në kundërshtim me ligjin.”
k.c.
Add new comment