Pheniani kërcënon me sulm atomik Shtëpinë e Bardhë dhe Pentagonin, “burimet e së keqes”

Regjimit komunist të Koresë së Veriut i “soset durimi” me SHBA-në ndaj kërcënon me sulm bërthamor Shtëpinë e Badhë dhe Pentagonin. Autori është një oficer i rangjeve më të larta të ushtrisë koreano-veriore, që ka akuzuar Uashingtonin për ngritjen e tensioneve ushtarake në Gadishullin korean. Kërcënimi erdhi nga Huang Pyong So, drejtor i Byrosë së Përgjithshme Politike të ushtrisë, gjatë një fjalimi të gjatë para trupave koreane në Phenian ditën e dielë, me rastin e përvjetorit të armëpushimit që i dha fund luftës koreane të viteve 1950-53. Huang është zv/marshall në Ushtrinë Popullore Koreane. Ai deklaroi se stërvitjet e fundit ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, gjatë të cilave u vendos në ujërat aziatike edhe një aeroplanmbajtëse amerikane e pajisur me raketa bërthamore, kishin ngritur më tej tensionet. “Nëse imperialistët amerikanë kërcënojnë sovranitetin dhe jetën tonë, trupat tona do të qëllojnë raketat tona me armatim bërthamor ndaj Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit, që janë dhe burimet e së keqes”, deklaroi Huang, fjalimi i të cilit u transmetua të hënën në televizionin shtetëror.
a.k
Add new comment