Pedro Sanchez, “fytyra e freskët” e socialistëve spanjollë

Pedro Sanchez Castejon, madrileni 42 vjeçar është lideri i ri i Partisë Socialiste në Spanjë. Duke qenë një personazh jo shumë i njohur, ajo që ka tërhequr vëmendjen që në fillim është pamja e tij. Mediat nuk kanë ngurruar ta cilësojnë atë si politikan me pamje aktori, ashtu sikurse nuk kanë lënë pa evidentuar faktin se ai i bashkohet “klubit” të liderëve të rinj që po marrin pushtet në vende të ndryshme të Bashkimit Europian.
“Huffington Post” në Itali e cilëson atë si “të riun e fundit” që hyn në listën e “levave” të socialdemokracisë europiane: para tij Matteo Renzi, pastaj Alexis Tsipras, e në fund Manuel Valls. I lindur në Madrid, ai është i martuar dhe ka dy vajza. Është diplomuar për Ekonomi, po në Madrid ndërsa në pas është specializuar për politikën ekonomike të Bashkimit Europian. Që i ri ai është bërë pjesë e strukturave politike te socialistët në Spanjë, duke u rreshtuar në forumet rinore, ku arriti që herët të bëhet sekretar i përgjithshëm i një rajoni. Flet tre gjuhë, ekspert i rrjeteve sociale dhe dikur ka luajtur basketboll. Njihet si negociator i mirë e durueshëm.
Pedro Sánchez ka qenë profesor ekonomie në universitetin “Camilo José Cela” deri në vitin 2008, kur edhe u zgjodh për herë të parë në parlament. Më herët ai ka qenë anëtar i Këshillit Komunal në Madrid por në të dyja rastet ka qenë i pari ndër të pazgjedhurit, duke e marrë detyrën si rrjedhojë e tërheqjes nga detyra të një personi të zgjedhur. Ka punuar për Parlamentin Europian dhe në Bonje për Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjatë luftës së Kosovës. Deri para pak muajve nuk ishte shumë i njohur dhe sipas disa analistëve, zgjedhja e tij vlerësohet si një vullnet i votuesve për t’i dhënë një drejtim tjetër kryesimit të partisë.
Besimi i qytetarëve spanjollë në partitë politike kryesore është përgjithësisht në rënie të fortë, pas menaxhimit të kritikueshëm të krizës ekonomike nga ana e José Zapateros dhe skandaleve të lidhura me korrupsionin që goditën Partinë Popullore në vitin 2013. Sipas “Il Post”, shpresa e Partisë Socialiste Spanjolle është që Sánchez të arrijë të rindërtojë një parti konkurruese për zgjedhjet e ardhshme politike që do të mbahen në 2015-ën. Pas zgjedhjes, sekretari i ri ka thënë se “ndryshimet e brendshme në parti janë fillimi i ndryshimit për Spanjën dhe fillimi i fundit për kryeministrin Rajoy”. Në profilin që i ka bërë liderit të ri, “The Economist” e cilëson atë si “fytyra e freskët e socialistëve spanjollë”, duke përmendur faktin se ai do të zëvëndësojë në detyrë një veteran. Po ashtu, në profil evidentohet fakti se socialistët shpresojnë që ai të ndjekë fatin e Zapatero-s, një tjetër socialist i panjohur që arriti të bëhet kryeministër. Gjithsesi, shumë analistë mendojnë se detyra e Sánchez-it do të jetë aspak e lehtë sepse Partia Popullore që qeveris, po rifiton besimin në popull për shkak të sinjaleve të ringritjes ekonomike që janë vërejtur sëfundmi.
n.k
Add new comment