PDIU: Non grata për “Agimin e artë”, policia shqiptare të mos bëjë sehir

Postuar në 12 Gusht, 2013 13:22

Për deklaratat e eksponentëve të Agimit të Artë në Himarë, ka reaguar edhe partia për Drejtësi, Integrim e Unitet e Shpëtim Idrizit. Përmes një deklarate për shtyp, PDIU e vë theksin tek mefshtësia e policisë dhe organeve tona të rendit, që tolerojnë thirrje për përmbysje nga shtetas të huaj brenda territorit të Republikës, teksa media e gazetarë shqiptarë dhunohen në vendin e tyre. Nga ana tjetër, PDIU vlerëson masën e himariotëve që qëndruan larg instrumentalizimit të vdekjes së një të riu, dhe kërkon që eksponentët e kësaj partie fashiste greke të shpallen non grata në vendin tonë. Ja deklarata e plotë:

“Në një mënyrë tërësisht burracake, njëra nga organizatat më të turpshme dhe më të rrezikshme në Europën e Bashkuar, “Agimi i Artë”, u shfaq në një ceremoni përkujtimore vdekjeje të një shtetasi shqiptar. Të udhëhequr nga sharlatanë, shitës flamujsh dhe banditë të tjerë, kjo organizatë u përpoq të shfaqte gjoja nacionalizmin e vet në Himarën tonë, një vatër e rëndësishme urbane që dëshmon vazhdimësinë e kombit shqiptar në të gjithë kohërat. PDIU e vlerëson faktin që prifti i Himarë Fshatit nuk e bëri kishën pjesë e lojërave të kësaj organizate, që synon të armiqësojë shqiptarët me grekët, shqiptarët e krahinave të ndryshme me njëri-tjetrin. PDIU vlerëson faktin që me këta njerëz nuk u bashkuan banorë të tjerë të Himarës që sot ka rënë në qetësi, pas zhdukjes nga drejtimi i pushtetit lokal të një figure të shitur si Vasil Bollano. PDIU i ka vlerësuar dhe prononcimet e mëhershme të familjarëve të të ndjerit Aristotel Guma, të cilët nuk kanë dashur ta kthejnë vdekjen e të dashurit të tyre, në motiv ndarës të komunitetit të shquar himariot.

Por PDIU reagon me forcë ndaj mungesës së ndërhyrjes së policisë ndaj dhunimit të mediave shqiptare prej këmishëzinjve fashistë të “Agimit të Artë”. Nuk ka asnjë pretekst legal në këtë vetëpërmbajtje të policisë sonë. Këta njerëz, që ishin në pozitën e veprimtarit politik siç e tregonin veten me veshjen e tyre të zezë, nuk po kryenin ndonjë shërbesë fetare, por po zhvillonin veprimtari antishtetërore në një mjedis të shenjtë si varreza.

Autoritetet policore duhet t’i përmbaheshin një vendimi të mëhershëm të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë për ta shpallur "non grata" kryetarin e kësaj Lëvizjeje. E gjithë kjo organizatë duhet ndaluar së vepruari në territorin shqiptar. Shteti shqiptar vazhdon të funksionojë dhe duhet të funksionojë me forcë dhe në periudhën e tranzicionit të pushtetit politik".

 

a.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.