PD refuzon ftesën e mazhorancës për bashkëpunim. Edi Paloka: As Fule nuk është bindës

Megjithë ftesën e hapur, plus dhe njëfarë ndjese nga kryeministri për aktin e dhunshëm të dy deputetëve të tij në parlament, Partia Demokratike refuzon ftesën e Ramës për bashkëpunim apo për miratimin në Kuvend të çdo kërkese për ngritjen e Komisioneve Hetimore. Një ditë pas vizitës së Komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule dhe apelit për kthimin e opozitës në Kuvend, kreu i deputetëve të PD-së Edi Paloka shprehet se opozita nuk mund të kthehet në Parlament kur ka një mazhorancë që jo vetëm shkel të drejtat e opozitës, por shkel gjithashtu edhe Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
“Ne nuk presim deklarata nga Rama, ai duhet të vepronte, duhet të veprojë edhe pikë. Nuk ka ka nevojë të thuash që unë nga e enjtja do e zbatoj Kushtetutën. E ke detyrim, e ka çdo qytetar detyrim dhe t’i për më tepër si kryeministër e ke detyrim të zbatosh Kushtetutën, nuk priten deklarata nga ty. Kush je ti zotëri, e ke detyrim ta zbatosh vendimin e Gjykatës Kushtetuese , jo ta ofrosh si favor që po i bën opozitës”.
Sipas tij, Kreu i Qeverisë kërkon një opozitë fasadë në sallën e Parlamentit dhe jo një opozitë që të bëjë punën e saj. Paloka kishte edhe një nënvizim për Fulen: “Të them të drejtën jo Rama që nuk më bind, po as Stefani nuk më bind dot kur del në krah të tij”.
a.k
Add new comment