PD: “Për energjinë, shkelësi i parë i ligjit është kryeministri. Për CEZ dha 95 mln euro, në vend të kërkonte 3 miliardë dollarë dëmshpërblim”

Deputeti i Partisë Demokratike, Florion Mima, ka dalë sot në një deklaratë për shtyp, përmes së cilës ka kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike. “Partia Demokratike është në favor të ligjshmërisë dhe që ligji të funksionojë në mënyrë të barabartë për këdo që vjedh energjinë. Por asgjë nuk shkon mirë me energjinë në vend, kur shkelësi i parë i ligjit është Kryeministri i vendit. Faktet e krizës së energjisë elektrike në vend janë këto; -2 milionë e 100 mijë shqiptarë, që janë pjesa më e madhe e popullsisë, në këtë kohëra krize, varfërie e papunësie, do të paguajnë më shumë cdo muaj pas vendimit që ka marrë Edi Rama. Abuzuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike janë menaxherët e qeverisë, shpesh me të kaluar kriminale, dhe që marrin para në dorë për favoret që bëjnë me pasurinë publike. Dëmin më të madh sistemit ia shkaktoi Edi Rama, duke i falur CEZ-it 95 milionë euro, para që ai do t’i nxjerrë nga xhepat e varfër të qytetarëve shqiptarë. Aksioni Policor që ka nisur sot, me siguri do të krijojë terror tek qytetarët, por nuk do të zgjidhë problemin, pasi paligjshmëria nis dhe mbaron me qeverinë. Qytetarët duan të dinë, pse pjesa më e madhe e tyre, ata që janë sot në pamundësi ekonomike, 2 milionë e 100 mijë shqiptarë, do të paguajnë deri në 70% më shumë cdo muaj për energjinë elektrike. Qytetarët duan të dinë pse Edi Rama, pa transparencë dhe për interesat e tij personale, futi dorën në xhepat e tyre për të nxjerrë 95 milionë euro për CEZ, ndërkohë që duhej t'i kërkonte kësaj kompanie 3 miliardë dollarë dëmshpërblim”, tha ai. Deklarata erdhi pas një aktiviteti të organizuar mga qeveria pikërisht për përgatitjen e opinionit me atë që quhet si vendosje e ligjshmërisë në pagimin e energjisë.
s.z
Add new comment