Paul Ryan bën një ‘tërheqje’, por bën dhe një përgënjeshtrim që s’bind

Ka ditë, saktësisht qysh nga momenti i fjalimit që Paul Ryan mbajti në Konventën republikane, që një pjesë e shtypit liberal amerikan është kapur pas një ‘shpifjeje’ që kandidati republikan për zv. President bëri me atë rast, teksa fliste mbi një premtim të pambajtur të Presidentit Obama lidhur me një fabrikë të Korporatës General Motors në Janesville, Wisconsin. Sot, Paul Ryan e përgënjeshtroi pretendimin e shtypit të demokratëve. “Nuk është ashtu si thonë ata”, tha në thelb Ryan.”Nuk e kam fajësuar Obama-n lidhur me atë fabrikë”.
Mirëpo s’është tamam ashtu. Dhe kjo është e thjeshtë për t’u verifikuar, pasi fjala e tij është lehtësisht e gjetshme në të gjitha arkivat online të agjencive të informacionit. Ja cili është pasazhi në fjalë: “Wisconsin-i votoi për Obama-n në vitin 2008. Njerëzit e donin kur ai fliste për ndryshimin (change), sidomos për ndryshimin në Janesville, ku po bëheshin gati të mbyllnin fabrikën kryesore. Shumë njerëz, të cilët i kam pasur në shkollë, punonin në fabrikën e GM-së (General motors). Dhe pikërisht në këtë fabrikë, Presidenti Obama tha, se ‘besonte që për një qeveri që mendonte për njerëzit, ajo fabrikë do të ishte aty ku është edhe për njëqind vite të tjera’. Kjo është ajo që ai tha në vitin 2008. Por puna është se fabrika u mbyll një vit më pas. Asaj fabrike i është vënë kyçi.”
Shtypi pro-obama-ian ka të drejtë. Paul Ryan thotë se ajo fabrikë është mbyllur në fillim të mandatit presidencial të Obama-s, një vit pas premtimit që ai bëri. Në fakt, ajo fabrikë është mbyllur në dhjetor (23) të vitit 2008, një muaj para se Obama të vinte në pushtet.
E.G.
Add new comment