Patozi me një opinion para Kuvendit të PD-së: “Ekip sa më përfaqësues. Kjo është e vetmja mënyrë për të zëvendësuar Sali Berishën”

Postuar në 16 Shtator, 2014 08:28

Deputeti i Partisë Demkratike, ish-nënkryetar i saj, Astrit Patozi, ka dalë sot me një opinion të vetin(që e ka postuar edhe në Facebook) për zhvillimet që pritet të sjellë Kuvendi i PD-së. Patozi bën një parashtirm historik minimal, duke u ndalur te pasojat e humbjes së 23 qershorit, por edhe nevoja për të zëvendësuar rolin që dikur mbulonte Sali Berisha në këtë parti. Për Patozin, PD-ja duhet të kthehet në model frymëzues dhe kjo do të varet nga hartimi i një programi politik afatgjatë, nga stabilizimi përfundimtar i vlerës së votës brenda partisë si dhe nga ndërtimi i një ekipi. Te kjo e ekipit, mendojmë se duhet ndalur. Ja çfarë thotë Patozi: “PD ka nevojë për ekip të fortë dhe të përkushtuar ndaj detyrës, por mbi të gjitha që të njohë sekretin e punës në grup. Por kjo nuk ka shumë lidhje me përzgjedhjen e emrave, pasi kjo është çështje modeli. Sepse unë njoh plot skuadra “yjesh” që prezantohen dobët, kur u mungon motivimi, përqendrimi dhe, mbi të gjitha, ajo që konsiderohet loja në ekip. E kam thënë dhe një herë tjetër që PD-ja duhet të përshtatet me shpejtësi me boshllëkun që lë hija e drejtimit autoritar, por të gjithëpranuar, të Sali Berishës. Ai sigurisht që ka funksionuar dhe ka dhënë frytet e tij, të cilat nuk është nevoja t’i përmend të gjitha. Mjafton bilanci. Në 22 vjet, PD ka qeverisur 13 prej tyre. Mendoj se ky është një cikël që u mbyll për shkak të dorëheqjes vullnetare të Sali Berishës dhe para nesh është një kapitull i ri. Si një nga dëshmitarët kryesorë, për shkak të detyrës, mund të konfirmoj pa asnjë mëdyshje se edhe në ditët e veta më “të këqija”, Sali Berisha ka pasur gjithmonë një ekip, të cilin herë e ka dëgjuar më shumë, e herë më pak, kjo është çështje vlerësimi subjektiv pastaj. Mjafton të rikthehesh në kohë dhe të bësh një analizë të përciptë të kabineteve të tij. Kanë qenë kryekëput politikë, që do të thotë super-përfaqësues. Në ndryshim të skajshëm Edi Rama drejton vendin sot me një qeveri gati private dhe ky është një regres shumë i madh për Shqipërinë. Natyrisht që ajo pritet të ketë konsekuencat e saj ndoshta edhe në vetë Partinë Socialiste, por ky është një problem i tyri, që pak na intereson. Ne kemi detyrim të ndreqim shtëpinë tonë. Ajo që mund ta rikthejë Partinë Demokratike në sukseset e dikurshme është një ansambël virtuoz dhe sa më përfaqësues që duhej të dalë prej kongresit. Është e vetmja mënyrë, sipas meje, për të zëvendësuar Sali Berishën. Dhe kjo është thjesht çështje vendimmarrjeje”, shkruan Patozi. Çka do të thotë se tanimë në PD, suksesi mund të vijë vetëm nëse Lulzim Basha do të pranojë rolin e të parit mes të barabartëve dhe aspak duke kërkuar të rimodelojë një parti të Lulzim Bashës. Kjo është në fakt edhe sfida më e madhe, pasi të gjitha partitë shqiptare vuajnë nga mbingarkesa politike e kryetarëve. Në këtë kuptim, Kuvendi i PD-së mund të stabilizojë një ekuilibër optimal, ose mund të hapë spiralen e ndarjeve. Me këtë rast, nuk mund të shpëtojë vërejtja e Patozit për qeverinë e Edi Ramës, në të cilën janë ulur në karriget e ministrit, shumë njerëz që politikisht nuk thonë asgjë. Por edhe si ekspertë nuk mund t’i klasfifikosh. Dhe që do të këtë kosto është logjike, por kjo është vetëm çështje kohe.

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.