Pasagjerë në makinën e punonjësit të SHISH, acarohen që i ndalon Rrugorja, plasin grushtat

Nuk kanë duruar dot faktin që makina ku udhëtonin, gjendur në kundravajtje, të ndalohej nga policia rrugore. Aq më tepër që drejtuesi I mjetit ishte punonjës i SHISH. Kështu, dy persona të cilët kanë qenë pasagjerë në makinën e një punonjësi të shërbimit informative, kanë rënë në prangat e policisë mbrëmjen e djeshme në Peshkopi pasi kanë kundërshtuar me forcë dy efektivët e rrugores. Iliaz Neli, 59 vjeç dhe Argjend Shehu, 29 vjeç, akuzohen se kanë goditur për shkak të detyrës dy punonjës të policisë së qarkullimit rrugor Sh.K dhe A.M. Në përfundim të hetimeve është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për ‘Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur’ dhe punonjësi i Shërbimit Informativ Shtetëror, A.Neli, 39 vjeç.
Dy punonjësit e policisë së qarkullimit rrugor, gjatë kryerjes së shërbimit në qytetin e Peshkopisë, rreth orës 21.00, kanë konstatuar një automjet tip Mercedes Benz, i cili po udhëtonte në krahun e kundërt të lëvizjes në këtë rrugë me një korsi kalimi. Ndërkohë që punonjësit e policisë po kryenin procedurat standarde të konstatimit të kundravajtjes rrugore, pasagjerët Iliaz Neli dhe Argjend Shehu kanë dalë nga automjeti dhe kanë goditur me grushte punonjësit e policisë rrugore. Vetë drejtuesi i mjetit, A.Neli nuk është përfshirë në konflikt, thonë burimet policore, dhe pas ngjarjes është paraqitur vetë në polici.
a.k
Add new comment