Pas votimeve, opozita në Maqedoni nuk njeh zgjedhjet

Në Maqedoni në ora 19.00 u mbyllën kutitë e votimit dhe përfundoi votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet presidenciale. Por menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, partia më e madhe opozitare LSDM (Lidhja Social Demokrate Maqedonase) bëri të ditur se nuk njeh rezultatet zgjedhore, për shkak të manipulimeve dhe mashtrimeve dhe parregullsive. Ndërkaq, është thelluar më tej skandali i manipulimit të votimeve, pasi dyshohet se banorët e Pustecit votuan 2 herë.
Edhe organizatat raportojnë për votim të dyfishtë. Banorët e Pustecit, dyshohet se janë sjellë në mënyrë të organizuar në Maqedoni, ndërsa njëri prej votuesve ka pranuar se kishte votuar më parë. Në një lidhje telefonike për “A1 Report”, nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Subhi Jakupi tha se në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit. Ndërsa tha se me dorëzimin e kutive të votimit pritet të fillojë edhe numërimi i votave. Lidhur me dyshimet e ngritura mbi manipulimin e procesit, Jakupi tha se “në njësitë ku janë konstatuar probleme, nëse do të ketë prova të besueshme, do të ketë edhe rivotim”. /shqiptarja.com/
Add new comment