Pas procesit të suksesshëm të votimit, Kosova nën “ethet” e sondazheve dhe parashikimeve zgjedhore!

Kosova ndodhet tashmë në fazën e dytë të procesit zgjedhor, pasi ka mbyllur me sukses fazën e parë, atë të votimeve. Të dhënat zyrtare të publikuara flasin për një pjesëmarrje që kalon 43 për qindëshin. Megjithatë, duhet pasur parasysh se në listat zgjedhore janë edhe emigrantët, çka nënkupton se përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje e votuesve që janë brenda territorit të Kosovës, mund të jetë më e lartë. Mbyllja e fazës së parë të procesit është shoqëruar nga vlerësime të larta nga analistët, përfaqësuesit e partive dhe të selive diplomatike të akredituara në Kosovë. Por faza e dytë, që përgjithësisht ka rezultuar të jetë ndër fazat më delikate të procesit, po shoqërohet nga ankthi i rezultateve paraprake, ku nuk mungojnë as parashikime paraprake rreth fituesit të këtyre zgjedhjeve. Po ashtu, siç ndodh zakonisht pas mbylljes së procesit të votimit, nuk kanë munguar as festimet e militantëve.
Mediat e Kosovës parashikojnë një rezultat të ngushtë mes forcave kryesore PDK-LDK ndërsa mediat ndërkombëtare flasin për një situatë të ngjashme me atë të vitit 2009 në Shqipëri, të një fituesi të kushtëzuar për të qeverisur me koalicion. Agjencia “Euronews” shkruan për një avantazh të lehtë të Partisë Demokratike të Kosovës të Hashim Thaçit. Gjithsesi, nisja e procesit të numërimit të votive do të hedhë më shumë dritë rreth tendencës së fitores në këto zgjedhje të parakohshme.
n.k
Add new comment