Paralajmërohet El Nino 2014, fenomen meteorologjik me temperatura ekstreme të ngrohta e të ftohta

Organizata Botërore Meteorologjike thotë se El Nino, një fenomen meteorologjik, që shkaktohet nga temperatura të pazakonta të ngrohta të oqeanit, ka të ngjarë të ndodhë në tremujorin e tretë të vitit 2014. Organizata Botërore Meteorologjike thotë se bota mund të presë këtë vit, mot më të nxehtë, më të thatë, por edhe më me lagështirë.
El Nino karakterizohet nga temperatura jashtëzakonisht të ngrohta të sipërfaqes së oqeanit Paqësor në zonën qendrore dhe lindore tropikale të tij. Fenomeni ndodh në intervale 2-7 vjeçare dhe ka një ndikim shumë të madh në klimën e botës. Drejtori i Degës së Parashikimit të Motit për Organizatën Botërore Meteorologjike, Maxx Dilley thotë se nganjëherë këto kushte mund të jenë mjaft ekstreme.
“Ka pjesë të botës, të cilat përjetojnë mot më të thatë se normalisht gjatë viteve të El Ninos. Pastaj ka pjesë të tjera, të cilat kanë tendencë të kenë më shumë lagështirë. Disa vende do të përballen me mot më të nxehtë dhe disa të tjera me mot më të ftohtë. Pra, efektet mund të ndryshojnë në varësi të rajonit ku ndodheni.”
Organizata Botërore Meteorologjike pret që El Nino të arrijë kulmin gjatë tremujorit të fundit të këtij viti dhe në fillim të vitit 2015. Ajo thotë se nuk mund të jetë e sigurt se sa intensiv do të jetë, por pret një El Nino me fuqi mesatare. S.S
Add new comment