Parajsë nën det apo tregti me shpresën?

Greqia po tenton në hapësirën nënujore rezerva gazi natyror të barabarta me 107% të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm. Sipas një raporti të publikuar nga banka gjermane, Deutche Bank, mund të gjenden 3,5 trilionë metra kub gaz, që e konvertuar në vlerë monetare është 427 miliardë euro, ndërsa fitimi i pastër për Greqinë do të mund të ishte 214 miliardë euro, më shumë se sa gjithë PBB vjetor i Greqisë i marrë së bashku.
Deutche Bank vlerëson se të ardhurat e para nga shfrytëzimi i burimeve, do të nisin të inkasohen në 8 ose 10 vitet e para, por me kusht që rezervat të jenë kaq kolosale sa vlerësohen. Gjithsesi, Deutshe Bank vëren se parashikimet për një sasi kaq të madhe gazi natyror nuk janë ende të argumentuara, pasi bazohen në rezultatet e gjetjeve në pellgun e Mesdheut Lindor, në nivelin e quajtur “Levantine”, që shtrihet në hapësirat detare midis Turqisë, Sirisë, Izraelit, Qipros, Egjiptit dhe Libanit.
Një eurodeputet i PASOK-ut, i ka cilësuar gjithë skenarët e shpalosur si një “tregti me shpresën”. Kriton Arsenis, duke folur në parlamentin Europian, ka theksuar se parashikimet mbi burime të mundshme hidrokarburesh, “janë jo vetëm të pabazuara, por edhe mashtrojnë opinionin publik, duke i ofruar në vend të zgjidhjeve reale për papunësinë, shpresën e një parajse të ardhshme”. Sipas eurodeputetit grek, duhet thënë vetëm e vërteta, që është se po kryhen kërkime në Kretë dhe në detin Jon, pikërisht për të parë nëse aty ka apo nuk ka naftë apo gaz natyror. Arsenis shton se, që nga zbulimi e deri të shfrytëzimi rruga është mjaft e gjatë dhe se çfarëdo e ardhur për nuk do të vijë më shpejt se pas 7 vjetësh. “Dua të denoncoj tregtinë me shpresën që po bazohet në spekulimet mbi rezervat e naftës apo të gazit natyror në vendin tim”, ka theksuar eurodeputeti grek.
Në Greqi kanë nisur para rreth një muaji kërkimet e para për gaz natyror dhe naftë, në pellgun e Kretës, por edhe në atë të Peloponezit dhe në detin Jon. Sipas shtypit grek, tashmë ka ardhur një tjetër anije e kompanisë norvegjeze PGS, ajo me emrin Thor, që po zhvillon kërkime në pjesën veriperëndimore të ishullit të Korfuzit. Rezultatet e para të kërkimeve pritet të bëhen të njohura në mesin e vitit 2013. A.N.
Add new comment