Paradoks berishian: Papunësia pakësohet kur punësimi nuk shtohet!!!

Teksa përuronte për të N-tën herë një rrugë diku në zonën rurale të Shkodrës, Berisha dha sot edhe një leksion të shkurtër ekonomie. Sipas tij, modeli ekonomik i qeverisë së tij është shkaku kryesor që papunësia është pakësuar në mënyrë progresive në Shqipëri, ndërkohë që është shtuar në të gjithë Europën për shkak të krizës ekonomike.
Dhe ku e bazon Berisha këtë deklaratë mbi mrekullinë e modelit të tij ekonomik?
Në shifrat e INSTAT-it, të cilit i referohen më pas edhe raporte rutinë ndërkombëtarë. Dhe INSTAT-i e bazon raportimin e papunësisë në listat e atyre që regjistrohen për punë në zyrat shtetërore.
Po ata që nuk regjistrohen? Për INSTAT-in ata nuk janë të papunë…
Sidoqoftë, ka një mënyrë të tërthortë për të vlerësuar sesi kanë shkuar punët me papunësinë – nëpërmjet shifrave të punësimit.
Në tabelën e punësimit që ka publikuar INSTAT-i në internet (http://www.instat.gov.al/graphics/doc/tabelat/Treguesit%20So... ) shohim se në fund të vitit 2011, numri i të punësuarve ishte 928,052. Ndërsa në fund të vitit 2005, numri i të punësuarve ishte 932,102. Pra, gjatë qeverisjes së Berishës, numri i të punësuarve është ulur plot 4,050.
Dhe kur punësimi nuk qenka shtuar, si qenka ulur papunësia? Apo ndoshta të papunët ia kanë mbathur nga Shqipëria drejt vendeve europiane në krizë?
E.Zaloshnja
Add new comment