Papa Françesku në Turqi. Në qendër të vëmendjes, të krishterët e Lindjes së Afërme dhe asaj të Mesme

Radio Vatikani njoftoi në shtegtimin e tij të gjashtë apostolik Papa Françesku nisi sot vizitën e tij treditëshe në Turqi. Ai u takua me presidentin e këtij vendi, Recep Tayyip Erdogan, dhe me klerikun më të lartë mysliman në Turqi, Mehmet Gormez. “Jam i lumtur që po vizitoj Turqinë, është një vend me bukuri natyrale dhe historike. Është i rëndësishëm dialogu mes vendeve. Pikërisht kur ka dialog dhe mirëkuptim paqja vjen”. Kështu e ka nisur fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin Erdogan. Sipas tij edhe lufta kundër terrorizmit arrihet vetëm me tolerancë. Në këtë luftë, shtoi Ati i Shenjtë, Turqia ka përgjegjësi të mëdha për shkak të peshës që ka. Papa Francesku foli më tej për nevojën për të ndaluar ISIS, ndërsa tha se nuk mjafton përdorimi i armëve. “Është e nevojshme që qytetarët myslimanë, hebrenj dhe kristianë të gëzojnë të njëjtat të drejta, por edhe detyra”, tha Papa gjatë konferencës me Presidentin turk, duke shtuar se po të garantohen këto të drejta, do luftohet edhe terrorizmi. Ndërsa kreu i shtetit turk, Recep Tayyip Erdogan e vuri theksin tek lufta e ISIS, e cila rrezikon të gjithë botën, sipas tij. “Lufta në Siri dhe Irak është rrezik për mbarë botën, prandaj duhet të bashkohemi në luftën kundër terrorizmit”. Më tej, ai tha se “Shumë zona së Siri dhe Irak janë lënë pa mbrojtje”, ndërsa shtoi se, SHBA dhe Turqia janë aleate në këtë luftë të përbashkët. Presidenti Erdogan u shpreh i shqetësuar, në takimin me papa Françeskun edhe për rritjen e shpejtë dhe serioze të islamofobisë duke u bërë thirrje të krishterëve dhe myslimanëve të luftojnë së bashku për ta frenuar.
L.V
Add new comment