Papa Françesku në Turqi, lutet në Xhaminë Blu të Stambollit dhe takon Patriarkun Bartolome

Papa Françesku e nisi ditën e dytë të qëndrimit në Turqi, me vizitën në Xhaminë Blu në Stamboll. Në këtë objekt të famshëm kulti në mbarë botën, Papa dhe delegacioni që e shoqëronte u prit nga Myftiu i Stambollit, Rahmi Jaran, kryetari i Bashkisë Fatih Mustafa Demir dhe nga një delegacion i përbërë prej imamëve të xhamive. Papa Françesku hoqi këpucët dhe në krah të kryemyftiut turk u lut në heshtje në Xhaminë Blu, ashtu sikundër bëri paraardhësi i tij, Benedikti XVI në vitin 2006. Kreu i Vatikanit mori informacione për arkitekturën e xhamisë, si për fenë islame. Vizita e Papa Françeskut në Xhaminë Blu ka zgjatur 25 minuta. Pas kësaj vizite, Ati i Shenjtë u ndal në Muzeun “Aja Sofia”, e cila ndër shekuj ka shërbyer si xhami, por më herët, në periudhën bizantine, ka qenë kishë, me emrin Shën Sofia. Ajo u shndërrua më vonë në muze. Paskëtaj, Papa Bergolio mbajti takim me Patriarkun Bartolomeu I, liderin shpirtëror të më se 300 milionë ortodoksëve në botë. Një ditë më parë, Papa qëndroi në Ankara, ku u prit nga Presidenti turk Erdogan. Ai bëri thirrje për dialog ndërfetar, për të luftuar fanatizmin dhe fundamentalizmin. Kjo është vizita e katërt e një pape në shtetin me shumicë myslimane. Ajo mbahet në një kohë kur Turqia ka strehuar të paktën 1.6 milion refugjatë kurdë nga Siria.
L.V
Add new comment