Papa Françesku konfirmon vizitën në Shqipëri më 21 shtator, Rama: Ogur i mrekullueshëm

Postuar në 15 Qershor, 2014 07:14

Papa Françesku ka konfirmuar zyrtarisht vizitën e tij në Shqipëri me 21 shtator të këtij viti. Në një fjalim të drejtpërdrejtë nga sheshi “Shën Pjetër” i Romës, Ati i Shenjtë tha se do të vizitojë Shqipërinë me ftesë të kryeministrit Edi Rama dhe klerit të Kishës Katolike Shqiptare.

“Unë jam i kënaqur t’iu them se kam pranuar ftesën e peshkopëve të Shqipërisë dhe kam ndërmend të shkoj në Tiranë të dielën në 21 Shtator. Me këtë udhëtim të shkurtër unë do të doja për të konfirmuar besimin e Kishës në Shqipëri si dhe për të dhënë inkurajimin tim për një vend që ka vuajtur gjatë si rezultat i ideologjive të së kaluarës." është shprehur Papa. Kreu i Kishës Katolike Shqiptare, imzot Rrok Mirdita e ka cilësuar vizitën si “shen jë dashurie për popullin tonë”. Ai theksoi se dita kur Papa do shkelë në tokën shqiptare do të jetë një festë për të gjithë pa dallime.

“Vizita e Papa Françeskut bën pjesë në atë akt që quhet udhëtim apostolik. Shën Pjetrin Jezusi e caktoi kreun e apostujve. Papa vjen në Shqipëri për të forcuar vëllezërit e vet. Vjen për të takuar kishën tonë, për tu lutur me ne dhe për ne. Për të na dhënë porositë që vijnë nga ungjilli. Kisha është e integruar në jetën e popullit dhe mban marrëdhënie me institucionet shtetërore. Kur viziton një kishë Papa gjatë një udhëtimi apostolik u drejtohet edhe të gjithë autoriteteve njerëzore me të cilat ndërvepron kisha në një vend. Kjo është shenjë e fortë e dashurisë së tij për popullin tonë. Jemi të sigurt që do jetë një festë pa dallim për të gjithë” u shpreh imzot Mirdita. Ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama ka zgjedhur ambientet e muzeut arkeologjik në Durrës për të komentuar këtë lajm. Sipas tij, vizita e Atit të Shenjtë në tokën shqiptare është një ogur i mrekullueshëm që vjen në prag të vendimit të BE-së për marrjen e statusit kandidat. Rama shtoi se vizita e Papa Françeskut në Shqipëri është një mesazh pozitiv për të gjithë Ballkanin, e për shqiptarët pa dallim feje.

 “Këtë vit, 100 vjet pas luftës parë botërore Papa Françesku do të vijë në Tiranë. Por kjo e Atit të Shenjtë nuk është një mesazh për ne por për mbarë Europën, sepse të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin. Gjatë bisedës me të në Vatikan ne folëm për Shqipërinë që nga periudha komuniste e deri tek sfidat e sotme të Shqipërisë në rrugëtimin evropian. Prandaj edhe zbritja e afërt e këtij njeriu të rralë është një vizitë për gjithë shqiptarët dhe banorët e Ballkanit pa dallim feje. Unë besoj se edhe lajmërimi sinkron sot nga Durrësi këtu dhe nga sheshi Shën Pjetri në Romë i kësaj vizite të rrallë është një ogur i mbrekullueshëm në prag të vendimit që BE-do të marrë për statusin e vendit tonë." u shpreh Rama. Lajmi mbi vizitën e Papës në Tiranë u dha një ditë më parë nga kreu demokristian Nard Ndoka. Pas konfirmimit të këtij lajmi, nuk kanë munguar as reagimet e shumta pozitive në rrjetet sociale nga deputetë e zyrtarë të shtetit shqiptar.

 n.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.