Papa Françesk, përshtypjet shqiptare: Keni vuajtur, por keni aftësinë e vëllazërimit

Dëshmitë e sjella gjatë Lutjes së Mbrëmësores në Katedralen e “Shën Palit”, nga një meshtar dhe një motër, të cilët i kanë mbijetuar periudhës së egër të komunizmit, i kanë bërë përshtypje Papa Françeskut. Këtë detaj ai e përmend edhe gjatë rrugës së kthimit, kur në fluturimin e tij nga Tirana për në Romë, Papa është ndalur tek emocionet e vizitës së tij në Shqipëri. Ati i Shenjtë është ndalur tek bashkëjetesa e komuniteteve fetare në vendin tonë, dhe jeta vëllazërore mes shqiptarëve. “Vuajtjet që keni patur, i pashë nga afër”, tha Ati i Shenjtë.
Papa Françesku shpjegoi se gjatë vizitës së tij, zbuloi se shqiptarët “nuk janë tolerantë, por vëllazërorë, kanë aftësinë e vëllazërisë, dhe kjo duket në mënyrën e bashkëjetesës, dhe të bashkëpunimit mes besimeve të ndryshme fetare: myslimanë, ortodoksë e katolikë. Bashkëpunojnë si vëllezër”. Ati i Shenjtë tha se që në momentet e para të vizitës së tij u impresionua nga rinia e vendit.
a.k
Add new comment