"Panorama": Tarifat e reja. Dritat, sa do paguajmë pas rritjes së çmimit

Pas heqjes së fashës 300 kwh, çmimi i dritave do jetë sa mesatarja aktuale. Heqja e fashës së çmimit të diferencuar për 300 kilovatët e parë sjell një ndryshim themelor në llogaritjen e faturave për të gjithë llojet e konsumatorëve familjarë. Gazeta “Panorama” sjell një përllogaritje të efektit që do të ketë për konsumatorët familjarë ndryshimi i ri.
“Sot çmimi është i ndarë në dy fasha, për 300 kilovatët e parë paguhet 7.7 lekë dhe për kilovatët e harxhuar mbi këtë fashë çmimi bëhet 13.5 lekë. Aktualisht çmimi mesatar i energjisë është 9.53 lekë/kilovat. Por ky është çmimi mesatar i energjisë për të gjitha kategoritë, pra duke llogaritur çmimin e bizneseve dhe të gjithë konsumatorëve të tjerë jofamiljarë, si ujësjellësit, furrat e bukës etj. Ndërsa çmimi mesatar, që sipas Canit do të përdoret si çmim unik i energjisë për familjarët, është 10.6 lekë për kilovat” shkruan gazeta. Nga ana tjetër, Banka Botërore ka propozuar që çmimi mesatar të rritet nga 15 në 20 për qind. Qeveria është e vendosur të mos ndryshojë tarifat, por thjesht të gjejë mesataren për të llogaritur faturat e qytetarëve.
Gazeta boton sot shembujt sa do të bëhen faturat e energjisë për konsumatorët që konsumojnë nën 300 kilovatë dhe për ata që konsumojnë mbi këtë shifër. Sipas këtyre llogaritjeve, kush konsumon më pak se 300 kilovat do të ketë një shtesë të faturës mujore më të lartë se ata që konsumojnë mbi këtë shifër. Fatura barazohet deri në kufirin e 600 kilovatëve. Pra familjet që konsumojnë 600 kilovatë nuk do të shpenzojnë më shumë para. Ndërsa ata që konsumojnë mbi këtë sasi do të paguajnë më pak se aktualisht.
http://www.panorama.com.al/2014/10/12/tarifat-e-reja-dritat-sa-do-paguajme-pas-rritjes-se-cmimit/
n.k
Add new comment