Panorama: Peticioni i LSI-së për një ministër të PS-së nisi pas një dreke

Postuar në 22 Qershor, 2014 05:22

Një deklaratë e bërë publike nga deputeti i LSI-së Gjovalin Kadeli, ndërsa po përgatitej operacioni i ndërhyrjes policore në Lazarat, ka shkaktuar jo pak diskutime në media ditët e fundit. Nisma e deputetëve të LSI-së, e njoftuar nga Kadeli, paralajmëronte dorëzimin e një peticioni për largimin e një ministri të kabinetit “Rama”.  Menjëherë media ka aluduar se bëhej fjalë për ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Megjithatë, vetë deputeti Kadeli, një ditë më parë, i ka hedhur poshtë këto zëra e madje ka lavdëruar punën e forcave të rendit e të ministrisë së Brendshme për vënien nën kontroll të Lazaratit. Vetë deputeti nuk ka pranuar që ky deklarim i tij të cilësohej si “tërheqje” nga nisma, pasi ai u shpreh se i qëndronte deklarimit të bërë, që sipas tij, ishte shpallur në “kohën dhe momentin e duhur”. Por ndërsa shumica e gazetave kanë pasqyruar deklaratën e deputetit, gazeta “Panorama” në një artikull me autor Fation Binjaku jep detaje të tjera, se ku ka lindur ideja e peticionit për largimin e një ministri të kabinetit.

“Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë marrë vendimin për t’iu drejtuar Edi Ramës për lëvizjen e të paktën një ministri gjatë një dreke miqësore të tyre. Një deputet i kësaj partie tha dje se çdo gjë nisi gjatë një dreke mes kolegësh e ku ata kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për një nga ministrat e kabinetit “Rama”. Gjatë drekës ata janë shprehur se nuk po arrijnë të komunikojnë me një nga ministrat e qeverisë, as telefonin nuk ua hap dhe, si të mos mjaftonte kjo, edhe performanca e punës së tij në këtë Ministri nuk është ajo e pritura dhe nuk ka ritmin e disa ministrave të tjerë. Gjatë drekës është hedhur dhe ideja e një kërkese zyrtare jo vetëm të tyre, por edhe nga deputetë të Partisë Socialiste, të cilët ndajnë të njëjtin mendim me ta, për t’iu drejtuar Kryeministrit Rama. Një ditë më pas, deputeti më kurajoz, me sa duket, Gjovalin Kadeli, ka bërë një deklaratë në media, ku ka transmetuar këtë shqetësim të deputetëve të LSI-së, por edhe të disa deputetëve të PS-së” shkruhet në artikull.

Artikulli i plotë: http://www.panorama.com.al/2014/06/22/prapaskenat-peticioni-i-lsi-per-nje-minister-te-ps-nisi-pas-nje-dreke/

n.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.