Paketa "Juncker", 315 miliardë euro investime për Europën

“Deutsche Welle” njofton se të mërkurën kreu i Komisionit Europian, Junkcer, paraqiti programin gjigand të investimeve prej 315 miliardë eurosh për ekonominë europiane. Sipas “Deutsche Welle” planet e Junckerit shihen si sinjale shprese, por ka edhe zëra kundër. Qëllimi i paketës gjigande të Junckerit është mobilizimi i investimeve në Europë në tre vitet e ardhshme. Vetë kreu i Komisionit Europian, Jean-claude Juncker e cilësoi paketën, "pjesa që mungon e puzzle-it" për të rritur koniunkturën në Europë dhe për të krijuar vende pune. “Deutsche Welle” shkruan gjithashtu se deputeti gjerman i Parlamentit Europian, i partisë kristiansociale, Markus Ferber i CSU-së ka dyshime mbi këtë paketë dhe faktin se nga do të vijnë paratë për investime. "Kemi dy probleme kryesore: E para nga do të mblidhen paratë, tjetra përse do të shpenzohen këto para”. Ndërkohë “Deutsche Welle” sqaron se zemra e projektit gjigand është fondi i ri për investimet strategjike, i cili do të sigurojë projekte infrastrukturore për energjitë e rigjenerueshme, transport, arsim dhe shkencë, dhe do të prodhojë shumëfish investime private. Ky fond do të përbëhet nga 16 miliardë euro nga instrumentat e BE-së dhe 5 miliardë euro nga Banka Europiane e investimeve. KE parashikon që 21 miliardë eurot të nxisin investime që janë 15 fish më të larta.
L.V
Add new comment