Përsëri mbi koncesionet: Me koncesion, edhe shërbimet bazike! Askush nuk e llogarit se sa iu kushton kjo qytetarëve dhe financave publike

Postuar në 06 Shtator, 2013 08:34

Gazeta Shekulli i ditës së sotme ka bërë një përmbledhje të të gjitha koncesioneve që ka bërë qeveria Berisha, veçanërisht këto ditët e fundit, duke vënë në dukje impaktin negativ që ato krijojnë në ekonominë shqiptare.  Qeveria në ikje ka kaluar në duar të privatit çdo resurs, thuhet në shkrim, nga shërbimet bazike për qytetarët, sipërfaqet e tokës në qendër të kryeqytetit e deri në zonat më periferike të vendit, pronat publike janë shndërruar në koncesione. Shërbimi i kontrollit të makinave, shërbimet e kontrollit në dogana, kontrollet e lojërave të fatit dhe deri te parkingjet nuk do të jenë më në pronë të shtetit të paktën për 15-20 vitet e ardhshme. Përpos mungesës së të ardhurave në buxhetin e shtetit që realizoheshin nga këto shërbime, për qytetarët janë rritur kostot e shërbimeve. Efekti negativ i dyanshëm duket se do t’i kushtojnë shtrenjtë jo vetëm financave publike, por edhe xhepave të qytetarëve.

Më poshtë renditen disa nga këto koncesione:  

1. Në vitin 2009 kompania zvicerane “SGS Automotive Albania” mori koncesionin e kontrollit autoteknik të automjeteve, e cila më parë bëhej nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, kontroll i detyruar i mjeteve.

2. Koncesioni i prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit, të cilat i prodhon kompania Sagem. Iu dha me koncesion në vitin 2008 firmës franceze “Sagem” e drejta për të prodhuar dokumentet e identifikimit në vendin tonë.

3. Jepet me koncesion për 35 vjet terminali i kontenierëve në Portin e Durrësit. Ministri i Transporteve ka firmosur marrëveshjen me kompaninë “Kurum”, e cila do të administrojë terminalin.

4. Në muajin Shtator 2012 Ministria e Financave  ka dhënë me koncesion prodhimin e pullave të akcizës dhe pullave fiskale në produktet e duhanit, birrës dhe alkoolit.

5. Në vitin 2012 u dha me koncesion kontrolli fizik i mallrave që do të hyjnë dhe do të dalin në doganat shqiptare. Pajisja e kontrollit do të instalohet nga një kompani private. Deri tani ky proces kryhej nga punonjësit e administratës tatimore, doganierët.

6.  Në vitin 2013 u dha me koncesion nga qeveria markimi i naftës. Ngjyrosja e naftës do të kryhet për 15 vjet nga dy kompani të huaja. Deri tani ky shërbim kryhej falas, tani Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe në Evropë që tarifën e markimit ua faturon qytetarëve.

7. Pak ditë para largimit qeveria ka vendosur të japë me koncesion Parkun e Automjeteve të Ministrisë së Brendshme, i cili i është dhënë një subjekti privat, me qira për 20 vjet për ambiente shërbimi. Vendimi për këtë objekt me sipërfaqe 550 m2 është marrë para një muaji, e megjithatë në zonë privatët kanë nisur të ndërtojnë.

8. Qeveria Berisha ka dhënë rreth 350 leje për ndërtimin e HEC-ve. Vetëm në tre mbledhjet e fundit të Këshillit të Ministrave janë firmosur të paktën 10 leje për ndërtimin hidrocentralesh me koncesion.

Zh.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.