Përplasje për mandatet e opozitës. Ekspertët e ligjit: “afati i fundit 19 janari”. Demokratët e shtyjnë deri në mars

Ekspertët e ligjit thonë se afati i fundit për mandatet e opozitës është 19 janari. Por Partia Demokratike vlerëson se mandatet e deputetëve të saj nuk digjen përpara mesit të marsit të vitit të ardhshëm. Burime nga selia blu thanë për “Panorama Online” se ka disa argumente në favor të tyre për zgjatjen e mandatit përtej muajit janar. Sipas demokratëve gushti dhe një periudhë afro 20 ditë në dhjetor janar nuk konsiderohen konsumim mandati. Sipas tyre aktivitet parlamentar konsiderohen edhe mbledhjet e grupeve parlamentare dhe takimet e të premteve me elektoratin dhe është fakt i njohur që PDja ka zhvilluar mbledhje të grupit dhe takimet e fundjavave. Po sipas opozitës është pikërisht neni 71 gërma ‘d’ e Kushtetutës ku thuhet “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend”. Sipas “Panorama Online” demokratët vlerësojnë se mungesa e tyre është me arsye dhe arsyeja është pikërisht moszbatimi i Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Prej 10 korrikut demokratët nisën bojkotin e Kuvendit pas dhunimit të deputetit Gent Strazimiri nga dy deputetët e maxhorancës, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu.
L.V
Add new comment