Përplasje mes EULEX-it dhe Thaçit për Fatmir Limajn

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, u kërkoi sot udhëheqësve politikë kosovarë që mos të komentojnë rastet gjyqësore në proces. Reagimi erdhi pasi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kishin kritikuar ashpër misionin EULEX, pas shqiptimit të masës së paraburgimit prej 30 ditësh për deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, si edhe ndaj tre personave të tjerë, ish-pjesëtarë të UÇK-së, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi e Naser Shala, të akuzuar për krime lufte në ratsin e njohur si rasti Kleçka.
Tha Hashim Thaçi: “Askush nuk mundet, as EULEX-i, që në errësirën e natës të arrestojë luftëtarët e lirisë, Fatmir Limajn dhe bashkëluftëtarët tanë. Kjo është e padrejtë, ky është turp, padrejtësi. Kjo është fyerja më e rëndë që na bëhet në këto ditë feste. Ne jemi sovran në këtë vend kemi Kushtetutën dhe ligjet. Ne jemi shtet modern dhe demokratik me rend dhe ligj”
Tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi: “Arrestimi i Limajt është një masakër e drejtësisë nga misioni EULEX”.
Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar: “Parim themelor i çdo shoqërie moderne, demokratike është mosndërhyrja në procesin gjyqësor. Gjykatësit veprojnë në mënyrë të pavarur, prokurorët veprojnë në mënyrë autonome dhe të akuzuarit janë të pafajshëm derisa të dëshmohet fajësia e tyre. Vendimet e prokurorëve dhe gjykatësve të EULEX-it kurrë nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë të motivuara politikisht”.
Në maj të këtij viti, Fatmir Limaj, u shpall i pafajshëm në një proces gjyqësor për të gjitha akuzat për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, gjatë vitit 1999, rast ky i njohur si rasti”Kleçka”. Ky proces zgjati më shumë se dy vjet. Mirëpo, më 20 nëntor, të këtij viti, Gjykata Supreme e Kosovës vendosi ta kthejë në rigjykim rastin e deputetit Limaj dhe tre ish-bashkëluftëtarëve të tij. Të shtunën pas mesnate deputeti Limaj dhe tre bashkëluftëtarët e tij, u arrestuan nga misioni EULEX dhe u dërguan në paraburgim, pasi vendimit të një gjykatësi të misionit EULEX në një seancë gjyqësore që u zhvilluar të shtunën deri pas mesnate. A.N.
Add new comment