Përgjimet, dekriminalizimi i Parlamentit dhe gjyqësori

Postuar në 09 Tetor, 2014 19:58

Publikimi dje në “Opinion, i pjesëve të raportit të komisionit të Sigurisë për kontrollin e përgjimeve të realizuara nga SHISH, qoftë dhe duke u ndalur tek emrat e përmendur, ofron një element të ri në të gjithë lojën e akuzave që ka muaj që zhvillohet. Së pari, duhet nënvizuar se emrat e deputetëve apo edhe politikanëve kryesorë që rezultojnë në përgjimet e SHISH, janë aty, siç u tha në materialin e lexuar, si rezultat i komunikimeve me persona për të cilët Prokuroria kishte dhënë autorizimin për përgjim. Ky aspekt ka më shumë sesa rëndësi formale, pasi atë e gjejmë të përsëritur, ose të konfirmuar tërthorazi të paktën në dy pohime specifike. Së pari, presidenti i Republikës, në intervistën e fundit të tij, dhënë për gazetarin Çim Peka në “Fakt” do të jepte garanci se “në të gjithë dijeninë time si President i Republikës, nuk ka pasur të konstatuar deri në këto momente, asnjë akt që është, të jetë kryer në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me objektin e punës dhe në kundërshtim me të gjitha procedurat që i ngarkohen Shërbimit Informativ për të përmbushur detyrën e tij”( http://president.al/?p=21457). Dhe së dyti, kryeministri Edi Rama, sërish në një intervistë, atë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” ka refuzuar të komentojë pyetjen mbi raportimet mediatike për përgjime të paligshme të SHISH edhe të bisedave të tij. “Nuk dua të bëj koment për këtë çështje. Nuk kam koment”, ka thënë ai(http://www.shqiptarja.com/Politike/2732/rama-ne-5-pyetjet-pe...). Për plotësim, edhe SHISH, në deklaratën e tij të fillimit të  muajit tetor, ka nënvizuar pikërisht aspektin ligjor të punës së tij. Rrjedhimisht, autorizimi i prokurorit për përgjimet përftohet më shumë sesa një alibi për drejtorin aktual të SHISH, ndonëse ende nuk dihet se ku janë raportuar këto përgjime. Ligji organik i SHISH përcakton në nenin 7 të tij ndër të tjera se “Drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar raporton edhe në Këshillin e Ministrave, sipas përcaktimit të Kryeministrit”. Duhet shtuar këtu edhe arsyetimi i përgjimeve të realizuara, sipas raportit të deputetëve të komisionit të Sigurisë. Dhe për këtë risjellim edhe njeherë materialin e lexuar në “Opinion”, që e marrim të mirëqenë: “Të gjitha hetimet e shqyrtuara nga përfaqësuesit e Parlamentit figurojnë si “përgjime parandaluese”. Përgjime të tilla nisin mbi bazën e një indicieje që vjen nga një prej agjensive shtetërorë të inteligjencës që ka për qëllim parandalimin. Agjensitë që mund ta kërkojnë këtë gjë janë: Shërbimi Informativ Ushtarak, Njësia e Inteligjencës Financiare; SHKB e Ministrisë së brendshme; Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve; Departamenti Hetimor Operativ i Ministrisë së Financave; dhe drejtoria e Hetimit Tatimor. Të gjitha këto përgjime, nuk kanë nevojë për vendim gjykate dhe nuk përdoren si provë në gjyq! Ato shërbejnë për parandalimin e një krimi emergjent. Sipas rregullores, transkriptet e këtyre përgjimeve shkatërrohen brenda 7 ditëve!”. Së dyti është e drejta e kryeministrit të vendit që të veprojë nëse e shikon të arsyeshme. Kjo pasi Inspektorja e Përgjithshme e SHISH, mund të kryejë inspektime të veprimtarisë së SHISH. “Këshilli i Ministrave emëron një inspektor të përgjithshëm përgjegjës për kryerjen e inspektimeve në veprimet e SHIK-ut... Inspektori i përgjithshëm ka të drejtë të ushtrojë kontroll mbi veprimtarinë e SHIK-ut”, thuhet në nenin 12 të ligjit organik për shërbimin. Po dje, kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka kërkuar hapur pikërisht këtë gjë. I pyetur në studion e “Top-Story” për përgjimet, Meta ka nënvizuar se “Qeveria dhe kryeministri kanë mjetet për të vepruar. Besoj se kryeministri duhet ta lexojë këtë raport dhe të nxjerrë konkluzionet e tij”. Për ta përmbledhur: ka një raportim fillestar mediatik se ShISH përgjon, ngrihet një ekip nga nënkomisioni i posaçëm në Parlament për këtë çështje që përpilon një raport, që bashkë me deklarimet e Presidentit dhe heshtjen e kryeministrit konfirmojnë/nuk hedhin ende poshtë, ndjekjen e procedurave të autorizuara për përgjime Parandaluese. Mirëpo sado ligjor të jetë ky procedim nga SHISH, është shumë e rëndë që një dorë e mirë deputetësh të Parlamentit shqiptar, kryesisht të majtë, si dhe dyshja kyçe e mazhorancës, të rezultojnë në përgjime me natyrë parandaluese. Ky element nënkupton se personat në fjalë komunikojnë dhe kanë kontakte me njerëz të cilët janë subjekte të ndjekjes për vepra që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, duke e futur marrëdhënien ndërinstitucionale në një qerthull absurd. Edhe njëherë pra në vështrim vjen çështja: përderisa përgjimet janë realizuar për periudhën 2013-2014, ku janë raportuar ato? Vlen të sillet me këtë rast ndërhyrja e Fatos Lubonjës në emsionin e djeshëm “Opinion”, kur me anë të një sms-je thoshte se: “Skandali nuk janë përgjimet, por fakti sesa shumë njerëz publikë mbajnë lidhje me krimin”. Një konstatim që përkon me kërkesën e fundit të opozitës për dekriminalizim të Parlamentit si kusht për pushimin e bojkotit. Po si mund të bëhet një marrëveshje për dekriminalizim pa u mbështetur në prova dhe informacione të besueshme, zyrtare, se deputetë të caktuar janë të përfshirë në raporte me botën e krimit, apo origjinojnë politikisht prej tij?( Sado çuditërisht të vërteta që rezultojnë deklaratat apo statuset denoncuese të z. Berisha, ato nuk mund të merren si premisë për marrëveshje mes pozitës dhe opozitës) Dhe kjo kërkesë vjen e ngrihet me forcë në një kohë që për çështjen e  dhunimit të z. Strazimiri po heton Prokuroria, por edhe kur operacioni politik dhe legjislativ i mazhorancës për ndërhyrjen në KLD dhe në gjyqësor po hyn në fazë konkretizimi. Pra njësoj si për çështje të tjera të ndjeshme politike, si 21 janari p.sh po bëhet çmos që organet e hetimit penal të mbahen jashtë fushe. Ndaj, një marrëveshje politike, e ofruar nga opozita, ndonëse moralisht e qëndrueshme, në këtë kontekst do kuptuar, ose të çon logjikisht te ideja se kemi të bëjmë me një lëvizje për të mbyllur, edhe në dritën e këtij raporti problematik të SHISH, një marrëveshje më të gjerë sesa ajo që artikulohet, ndoshta nga ato të tipit “Nano-Berisha” siç etiketoi para disa ditësh Spartak Ngjela. Vetë raporti kërkon zgjidhje institucionale, pasi ai e kthen në çështje serioze edhe bashkëjetesën mes drejtorit të SHISH dhe kryeministrit që është epror direkt i tij dhe i cili ka dalë i përgjuar. Nga ana tjetër, mazhorancës i duhet të sigurojë argumente ligjore që të kërkoj largimin e Visho Ajazit nga detyra, nëse e dëshiron këtë gjë. Përndryshe gjithçka mund të kthehet në bumerang, aq më tepër që opozita, kryesisht linja e z. Berisha, po bën shumëçka për të ruajtur garancitë që ofron kontrolli mbi disa hallka të shtetit. Sepse të gjithë e dimë, se askush nuk është i pavarur.

s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.