Përfundon koha e Bollanos në krye të Omonias. Në garë djali i prifit të Sarandës me numrin dy të organizatës. Kë mbështet Vangjel Dule?

Leonidha Papa dhe Vasil Kajo janë dy nga 5 emrat e mbetur në garë për të marrë kreun e “Omonias”, organizatës së minoritetit etnik grek që aktualisht drejtohet nga Vasil Bollano. Zgjedhjet për kreun e ri të kësaj organizate do të mbahet në 11 janar. Në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën në fillim të dhjetorit, Vasil Kajo arriti të marrë 152 vota, ndërsa Leonidha Papa 148 vota. Në garë ishte edhe Alqi Puli, ish-zv/ministër i Jashtëm, i cili dha dorëheqjen pas krisjes së marrëdhënieve mes PS dhe PBDNJ lidhur me reformën territoriale. Diavoulesi.gr raporton se para votimit të raundit të parë u lexua përshëndetja e kryeministrit grek, Antonis Samaras, ndërsa Vasil Bollano konfirmoi se nuk do të rikandidojë.
Sa u takon dy kandidatëve që janë ende në garë, aktiviteti i tyre është i lidhur ngushtë me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Leonidha Papa është me profesion inxhinier, ka studiuar në Greqi dhe është i biri i priftit të kishës në Sarandë, ndërsa Vasil Kajo ka patur postin e kryetarës së degës lokale të “Omonias” në Sarandë. Zëra në media thonë se më i favorizuar për t’u zgjedhur është Leonidha Papa, nisur nga mbështetja që krahu i djathtë i Vangjel Dules, ish-zv/ministri Alqi Puli I ka dhënë atij, ndonëse ky i fundit ka mohuar mbështetjen për Papën.
l.m
Add new comment